Arka e shtetit shqiptar, por mbi të gjitha ata që do ta vuajnë, taksapaguesit, qytetarët do të duhet të paguajnë edhe…

Nga Dritan Laci

Arka e shtetit shqiptar, por mbi të gjitha ata që do ta vuajnë, taksapaguesit, qytetarët do të duhet të paguajnë edhe njëherë shumë shtrenjtë faturën e arrogancës së pushtetarëve të tyre. Sot Gjykata e Strasburgut vendosi që qeveria shqiptare ti paguajë një dëmshpërblim prej 13 milion eurosh banorëve të një pallati pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë; pallat që qeveria shqiptare e shembi në dhjetor të vitit 2013 në mënyrë arbitrare me direktivë të kryeministrit rishtar Edi Rama, për ti hapur rrugë projektit të “Lungomares”.

Një vendim i Gjykatës së Strasburgut që nuk vuri thjesht në vend të drejtën e disa dhjetra banorëve të një pallati për pronën e tyre, por që i dha edhe një shuplakë të fortë harbutërisë me të cilën Rama është sjellë përgjatë të gjithë qeverisjes duke shkelur në mënyrë të hapur të drejtën e pronës në ato projekte që ka ndërrmarrë, duke vënë në punë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të ‘zbythur’ banorët nga pronat e tyre. Mjafton të kujtoj këtu sjelljen me banorët e shtëpive në rrugën Transballkanike në Vlorë, po kështu edhe me banorët e Himarës në atë që quhet si projekti rilindës i qendrës së qytetit, etj. me radhë ku Rama nuk ka bërë Kryeministrin por kapadaiun duke mos pyetur për asnjë të drejtë të pronarëve.

Por, ky vendim sikundër e theksova në hyrje të shkrimit nuk është vetëm një shuplakë e ftohtë për Ramën se si ai duhet të respektojë një shtet ligjor, por është edhe një faturë e kripur financiare që Rama duhet të japë llogari para drejtësisë për vendimin e tij. Pasi nuk ka asnjë logjikë të shëndoshë matematikore që projekti në vetvete në këtë rast “Lungomare” të kushtojë 8.2 milion euro dhe shembja në mënyrë arrogante e një pallati, pa pritur vendimin e gjykatës të kushtojë 13 milion euro. Pra në total duke marrë për bazë edhe dëmshpërblimin që shteti shqiptar duhet ti paguajë banorëve të pallatit, kostoja e Lungomares shkon në 21 milion euro, kur fare mirë qeveria shqiptare mund të hynte në bisedime me banorët që në krye të herës dhe kostoja të ishte shumë më e ulët.

LEXO EDHE:  Durrës/ Rama: Koalicion real me qytetarët nëpërmjet teknologjisë, zëri juaj do të dëgjohet

Por jo vetëm kaq! Nëse vërtet besonte se kishte të bënte me një objekt të paligjshëm, qeveria duhet të kishte durimin të priste vendimin e shkallëve të gjyqësorit dhe më pas të vepronte. Ndaj sot Rama duhet të japë llogari para drejtësisë për vendimin e tij. Dhe jo vetëm Rama por çdo pushtetar që abuzon me pushtetin dhe paratë e taksapaguesve. Nëse vërtetë z. Lu e ka seriozisht këtë punën e peshqve të mëdhenj, ja ku është një rast që znj. Kryeprokurore e Përkohshme të rihapë hetimet dhe të vendosë përpara bankës së drejtësisë që nga ata që dhanë lejen për objektin në buzë të detit deri te shkaktari i dëmit prej 13 milion eurosh, që rezulton të jetë kryeministri Edi Rama me arrogancën e tij.

 
Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook