Që prej tri javësh, në publik është hapur debati për raportin vjetor të Institutit për Studimin e Pasojave të Krimeve të Komunizmit dhe deputetëve të Partisë Socialiste.

Arsyeja e debatit është një botim i Institutit mbi krimet e bëra nga forcat partizane, që sipas socialistëve, është i pabazuar pasi periudha e Luftës Nacional-Çlirimtare nuk ka të bëjë me instalimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe me krimet e tyre.

Raporti vjetor i Institutit për Studimin e Pasojave të Krimeve të Komunizmit në brendësi të tij nuk e ka trajtuar këtë çështje, por ka theksuar se qëllimi i Institutit është studimi i arsyeve dhe të rrethanave, që çuan në instalimin e regjimit komunist në Shqipëri. Që në fillim të raportit, i cili është shqyrtuar fillimisht nga Komisioni i Ligjeve në Kuvend, theksohet se misioni dhe qëllimi i punës së Institutit është studimi i fakteve dhe informimi për periudhën komuniste në Shqipëri nga vitit 1944-1991.

“Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1944-1991), në të gjitha aspektet e tij”, theksohet në raport.

Kjo pikë mesa duket ka ndezur edhe debatin. Kjo, pasi regjimi komunist në Shqipëri është instaluar pas mbarimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ndërsa objekti i studimit të institucionit e fillon punën që para se në Shqipëri të vendosej regjimi diktatorial. Krahas kësaj, në raportin e ISSK-së theksohet se puna e këtij institucioni është edhe analizimi i rrugëve që çuan në vendosjen e regjimit, pikë e cila trajton edhe pjesën e LANÇ-it.

“Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumentet që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë a të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi, si dhe të atyre, të cilët bënë rezistencë kundër këtij regjimi”, shprehet në raportin vjetor të Institutit për Studimin e Pasojave të Krimit të Komunizmit. Pritet që Kuvendi t’i kërkojë kreut të ISSKsë, Agron Tufa, që të bëjë disa rregullime në raportin e tij vjetor, pasi procedura e votimit të rezolutës është pezulluar. Kreu i Institutit, Agron Tufa, më herët ka deklaruar se nuk do të ndryshojë gjetjet dhe konstatimet në raportin vjetor të institucionit që ai drejton.