Faik Pashollari që u dënua me 1 vit burg për mjekim të pakujdesshëm ndaj një vajze të mitur 7-vjeçare, është rikthyer në punë për të dytën herë edhe pse vendimi i gjykatës thotë qartë se atij nuk i lejohet të kthehet në punë pa kaluar 3 vite pas përfundimit të dënimit.

Babai i vajzës shprehet tepër i indinjuar dhe thotë se do vazhdojë të kërkojë drejtësi për të bijën e tij dhe se ky mjek tashmë përbën kërcënim për fëmijët e tjerë. “Ai nuk është një mjek profesionist. Ai mjek vdiq vajzën time duke i bërë mjekim të gabuar, ndërsa nesër mund t’u marrë jetën edhe fëmijëve të tjerë”, – u shpreh Beollari.

Zoti Hekuran, mjeku pediatër Faik Pashollari, i cili u dënua për shkak të vdekjes së vajzës suaj nga mjekimi i pakujdesshëm, është rikthyer sërish në punë, ndonëse ka një vendim gjykate për moskryerje të detyrës për një periudhë 3-vjeçare. Si e zbuluat këtë gjë?

Këtë gjë unë e kam mësuar nga disa persona të ndryshëm. Nga disa prindër që kur kishin çuar fëmijët e tyre në Spitalin e Gjirokastrës për t’i vizituar, kishin parë se mjeku që vdiq vajzën time, Erën, ishte rikthyer në punë. Këta persona janë nga Përmeti dhe ne kemi njohje me ta. Sapo kanë ardhur në Përmet, më kanë treguar.

Si u ndjetë në ato momente?

Jam çuditur! Nuk e kuptoj se si ky mjek që është dënuar për vdekjen e një fëmije të futej sërish në punë, kur rezulton me një dëshmi penaliteti jo të pastër dhe për 3 vite nuk duhet të kryejë punë publike! Kjo nuk është hera e parë që ky mjek futet sërish në punë, dhe nuk arrij ta kuptoj se si ka mundur ta bëjë këtë gjë, pasi për të ka një vendim të Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Më parë ky person është futur në Spitalin e Përmetit, duke punuar atje 6 muaj me radhë. Edhe atëherë kam takuar drejtorin e spitalit. I kam thënë se, si ky mjek ishte futur në punë kur kishte vdekur një fëmijë, dhe jo se ishte vajza ime, por sepse ai person kishte kryer një krim dhe ishte dënuar për këtë gjë.

LEXO EDHE:  E mitura tregon tmerrin që përjetoi gjatë përdhunimit: Njiheshim prej kohësh, më ftoi në shtëpi, por...

Si vepruat më pas? A keni kontaktuar me institucionet përkatëse?

Patjetër që po! Sapo mora vesh këtë gjë, kam shkuar dhe kam takuar drejtorin e Spitalit të Gjirokastrës. Ai më tha se ‘nuk e kam futur unë këtë person në punë. Këtë mjek unë e kam gjetur këtu dhe është futur nga drejtori i parë. Por unë do të interesohem për këtë problem duke parë edhe dokumentet e tij’. Nuk e kuptoj se si ky drejtor, ky shtet apo kjo qeveri fut në punë persona që janë të rrezikshëm në profesionin që po kryejnë.