Real Madrid i ka ‘vjedhur’ talentin japonez rivalëve të tyre historik, Barcelonës. Takefusa Kubo cili ka dalë nga akademia e Barcelonës ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare me Real Madrid.

Kubo është stërvitur në akademinë e Barcelonës nga viti 2011 deri në vitin 2015. Në momentin që transfertat e Barcelonës u ndaluan për nënshkrime ilegale me lojtarët e rinj, Barcelona e lejoi që ai të kthehej në Japoni.

18 vjeçari ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare më ‘Los Blancos’. Ai këtë vit do jetë pjesë e Real Madrid B që drejtohet nga legjenda Raul Gonzales. I cilësuar si Messi japonez, Kubo do përfitojë 1.2 milion euro në vit nga kontrata.

Ajo që është edhe më e çuditshme është arsyeja që Barcelona nuk arriti të nënshkruajë me lojtarin e stërvituar nga ata vetë. Barcelona dhe PSG, e cila e kërkonte talentin japonez, kishin përshtypjen që kontrata e tij në Japoni mbaronte me 31 janar 2020, ndërsa drejtuesit e Real Madrid ishin të vetëdijshëm që kontrata mbaronte këtë verë.

Kur gazetarët e pyetën 18 vjeçarin për bashkimin me Real Madrid ai u përgjigj: “Jam shumë i lumtur që u bashkova me Real Madrid. Jam i qetë. Është një ditë normale por jam shumë i lumtur”.

Në njoftimin e tyre skuadra spanjolle e përshkruan japonezin si një lojtar shumë teknik dhe të talentuar.

“Real Madrid do ketë në ekip njërin nga talentet më premtues në botën e futbollit. Një mesfushor me tipare sulmuese me teknikë shumë të lartë, shumë i talentuar, më triblim fantastik dhe golashënues”- thuhet në njoftimin e ‘Los Blancos’.

Për Realin ky është transferimi i gjashtë. Real nën drejtimin e Zidane që po rindërton ekipin për të dominuar në Spanjë dhe Europë ka trasnferuar edhe yje të tjerë siç janë: Hazard, Mendy, Joviç dhe Militao.