Supa e pulës me miell misri është gatuar për breza me rradhë nga amvisat shqiptare, jo vetëm për shijen e mrekullueshme që ka por edhe për vlerat kundër virozave.

Një pjatë e lehtë, e pasur me vlera ushqyese dhe plot shije që shoqërohet në mënyrë fantastike me pak bukë të thekur dhe me sallata të freskëta të stinës.

Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona

Një pulë mesatare e ndarë në copa

2 – 3 lugë miell misri

2 lugë vaj ulliri

1 lugë gjelle me gjalpë të freskët

2 thelpinj hudhre

1 lugë kafeje me spec të kuq pluhur (jo djegës)

Kripë

Piper

Majdanoz

Përgatitja  

Pastrojmë pulën me ujë të rrjedhshëm dhe e ndajmë në copa.

Vendosim një tenxhere në zjarr, shtojmë vajin e ullirit dhe copat e pulës. I kaurdisim për pak nga të dyja anët.

Hedhim kripë dhe ujë derisa të gjitha copat e pulës të mbulohen tërësisht. E lëmë derisa të ziejë për 35 – 40 minuta duke u kujdesur që të mos i shterojë uji sepse duhet për lëngun e supës.

Në momentin që mishi i pulës është zierë, vendosim një tigan në zjarr, shtojmë gjalpin e freskët dhe miellin e misrit. E kaurdisim derisa të marrë ngjyrë të artë më pas e heqim nga zjarri, shtojmë pak lëng nga lëngu i pulës, dy thlepinjtë e hudhrës të shtypur dhe specin e kuq pluhur.

Më pas, masën e miellit të misrit shtojeni tek tenxherja ku është mishi i pulës dhe lëngu i saj. Vendoseni tenxheren sërish në zjarr dhe përziejeni supën derisa lëngu të trashet. Lëreni në zjarr edhe për 8-10 minuta duke e përzierë vazhdimisht dhe më pas largojeni nga zjarri.

Kjo supë shërbehet e ngrohtë dhe sipër sipas dëshirës i hidhet pak piper i zi dhe majdanoz i grirë shumë hollë