Përbërësit:

  • 1 pako peta
  • 3-4 speca të kuq
  • 7 kremviçe
  • 150 gr djathë dhie
  • 150 gr djathë kaçkavall
  • Kripë, piper i zi
  • 1 kokërr vezë
  • 6-8 lgj vaj ulliri
  • Kripë

Përgatitja:

Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 200 gradë Celsius. Për të përgatitur byrekun zgjedhim një tavë keku me formë në mes. Lyejmë tavën me yndyrë – me pak gjalpë ose vaj sipas dëshirës. Djathin e bardhë, specat dhe djathin kaçkavall i presim në kubikë të vegjël. Kremviçet i presim hollë në rrathë. Në një tas trazojmë djathin e dhisë me specat e kuq. Në një tas tjetër përziejmë kremviçet me djathin kaçkavall.

Vendosim në tavë dy peta të rrudhura duke lënë anët e petëve të dalin jashtë tavës. Shpërndajmë më pas në të një shtresë me speca dhe djath të bardhë. I mbulojmë ato me një petë përsëri të rrudhosur dhe e spërkasim me yndyrë ose me një salcë të përgatitur me vaj, vezë, pak qumësht dhe kripë, pasi kjo ndihmon që petët e byrekut të mbeten të buta. Vendosim dhe një petë tjetër të rrudhur dhe shpërndajmë kremviçet me djathin kaçkavall, kështu na formohen dy shtresa me mbushje të ndryshme.

Përsëri mbulojmë mbushjen e dytë me petë të rrudhur, 1 ose 2 petë si të dëshironi. I spërkasim petët me yndyrë dhe vazhdojmë mbushjen e rradhës me spec dhe djathë dhie, përsëri vendosim 1-2 petë dhe mbushjen e fundit me kremviçe dhe djathë kaçkavall. Kthejmë në fund anët e petëve dhe do të formohet një byrek me pamjen e një keku. E vendosim byrekun në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-35 minuta. E lemë pak të ftohet dhe më pas e presim në feta dhe pamja e tij kur të pritet do të jetë shumë dekorative dhe me një shije shumë të mirë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook