Ballina Receta Receta Gatimi/ Fileto viçi me patate

Receta Gatimi/ Fileto viçi me patate

Përbërësit:

1 kg mish viçi
2-3 thelpinj hudhër
4-5 kokrra piper të zi
1 lgj vaj ulliri
1 lgj gjalpë
1 gotë verë të bardhë
1 kg patate
2 lgj mustardë
1 lgj mjaltë
Cipa dhe lëngu i 1 portokalli
1 gotë ujë / lëng mishi
Kripë, piper, trumzë

Përgatitja:

Fillimisht shpojmë mishin me majën e një thike dhe vendosim disa thelpinj hudhër dhe kokrra piperi. Më pas e spërkasim mishin me kripë dhe piper të zi. Në një tigan që nuk ngjit ose në një tavë që e përdorim për furrë vendosim një lugë vaj dhe një lugë gjalpë. Vendosim mishin dhe e kaurdisim nga të gjitha anët që të marrë një pjekje sipërfaqësore. Më pas e shuajmë me verë të bardhë.

Ndërkohë patatet i kemi prerë në forma të mëdha sipas dëshirës dhe i marinojmë me mustardë, mjaltë, cipë dhe lëng portokalli, kripë, piper dhe trumzë.

Sapo të avullojë alkooli i verës që hodhëm tek mishi shtojmë patatet e marinuara. I përziejmë mirë duke shtuar dhe një gotë lëng mishi. Nëse kemi tavë me kapak vendosim kapakun, në të kundërt vendosim një letër kuzhine të lagur dhe më pas një letër alumini të cilën e izolojmë hermetikisht në anët e tavës. Më pas e vendosim mishin me patate në furrën e parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 1 orë e gjysëm.