Ballina Receta Receta Gatimi/ Patellxhanë të mbushur me mish të grirë dhe beshamel

Receta Gatimi/ Patellxhanë të mbushur me mish të grirë dhe beshamel

Përbërësit:

4 patëllxhanë
300 gr mish të grirë
1 kokërr qepë
1 thelpi hudhër
1 gotë verë e bardhë / e kuqe
2 kokrra domate
1 shkop kanelle
Majdanoz ose nenexhik
Kripë, piper i zi
2-3 lgj vaj ulliri
50 gr djathë të verdhë
2 të bardha veze

Për beshamelin:

1 lgj miell
1 lgj gjalpë
1 gotë qumësht
Kripë, piper, arrë moskat
100 gr djathë të verdhë
2 të verdha veze

Përgatitja:

Patëllxhanët i presim përgjysëm për së gjati, i bëjmë disa prerje me thikë nga pjesa e brendshme, i spërkasim me pak kripë, piper dhe vaj dhe i vendosim në një tavë me pjesën e brendshme nga poshtë. E vendosim tavën me patëllxhanë në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 25-30 minuta.

Ndërkohë përgatisim mbushjen me mishin e grirë. Në një tigan vendosim dy lugë vaj ulliri dhe kaurdisim mirë qepën të grirë imët. Pasi qepa të fillojë të zbutet shtojmë hudhrën dhe mishin e grirë. E kaurdisim mirë mishin e grirë derisa të përthithë lëngjet e veta. Më pas e shuajmë mishin e grirë me verë të bardhë ose të kuqe. Sapo të avullojë alkooli shtojmë domatet të grira në rende dhe një shkop kanelle. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper (sipas dëshirës mund të shtojmë dhe një koncentrat) dhe e lemë kimën të lidhet. Në fund shtojmë erëzat e freskëta të grira hollë dhe pak djathë të grirë në rende. E largojmë kimën nga zjarri dhe shtojmë dy të bardhat e vezëve.

Paralelisht në një enë tjetër përgatisim beshamelin duke kaurdisur fillimisht miellin me gjalpin. Më pas shtojmë qumështin gradualisht duke vazhduar trazimin. Rregullojmë shijen e beshamelit me pak kripë, piper dhe arrë moskat dhe në fund shtojmë të verdhat e vezëve, të cilat i kemi rrahur me pak qumësht të ngrohtë që të mos na priten tek beshameli. E trazojmë mirë beshamelin duke shtuar dhe gjysmën e sasisë së djathit të verdhë.

LEXO EDHE:  Receta Gatimi/ Sallatë me perimet të freskëta dhe makarona

Nxjerrim patëllxhanët nga furra dhe me anë të një piruni shtypim mirë pjesën e brendshme që të krijohet një hapësirë e mirë për mbushje. Mbushim të gjithë patëllxhanët me kimën me mish të grirë. Mbi çdo mbushje vendosim nga 1-2 lugë beshamel. E spërkasim mbi beshamel me pak djathë të verdhë dhe i vendosim patëllxhanët e mbushur në furrën e parangrohur në temperaturën 180-200 gradë Celsius për 25-30 minuta.