Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar të PS-së ka folur sot për zgjedhjet lokale dhe mundësinë e rikandidimit të Erion Veliajt në Tiranë.

Balla tha se secili do kandidojë në bazë të performancës dhe se duhen kandidatë që i mbështet komuniteti. Për këtë arsye ai deklaroi se kanë nisur konsultimet.

“Do kemi 61 kandidatë në 61 bashkitë e vendit, për të cilët kemi përcaktuar një axhendë shumë të mirë për sa i përket marrjes së mendimit të komuniteteve. Ne kemi krijuar modele të shkëlqyera të qeverisjes vendore, qoftë me Edi Ramën por edhe tashmë në qeverisjen vendore, ku ndër to spikat në mënyrë të veçantë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili e ka justifikuar besimin e dhënë nga ne por pikë së pari besimin e dhënë nga qytetarët shqiptarë në 4 vite. Por askush prej nesh nuk ka të drejtë të dalë mbi vendimet e përbashkëta e kolegjiale të PS-së që në momentin e duhur do të flasin për vendimet”, tha Balla.