Pas protestave masive të studentëve për plotësimin e 8 kërkesave, ku një prej të cilave ishte ishte përmirësimi i kushteve në konvikte, qeveria miratoi një vendim për rikonstruksionin e tyre.

Por ndërsa shumë nga godinat e Qytet Studentit i ka pushtuar smogu dhe zhurmat, nuk është marrë asnjë masë për akomodimin e studentëve, të cilët vijojnë të qëndrojnë aty, teksa punëtorët punojnë.

Në godinën 26 dhe 27 janë të akomoduara rreth 270 vajza. Rikonstruksioni i kësaj godine ka nisur për rreth një javë më parë. Bllokimi i banjove dhe dusheve detyron studentet që për nevojat e tyre të lëvizin ditën dhe natën drejt godinës 26.

“Ka një javë që ka nisur. Zhurmat, lëvizjet, janë çunat që hyjnë e dalin në një godinë vajzash. Problem ngelen dushet dhe banjat. nuk dihet sa do zgjasë sepse ka godina që kanë nisur më parë dhe nuk kanë përfunduar”, thotë një studente e godinës 27.

“Jam tek godina 29. Rikonstruktimi ka filluar që dy javë. Në pjesën e jashtme janë vendosur skelat. Ne jemi informuar nga kujdestarja që nga 29 do shkojmë tek 28-a deri sa të mbarojnë punimet dhe më pas do jetë anasjelltas. Nuk e dimë se sa do zgjasë. Dushet janë vetëm në katin e parë dhe në të dy godinat përdoren aktualisht dhe ndërkohë që punëtorët janë duke punuar”, tregon një studente tjetër.

LEXO EDHE:  "Nuk ka negociata"/ Studentët vazhdojnë të protestojnë akoma

Drejtoria Arsimore në Qytet Studenti nuk ka pranuar të japë asnjë informacion për kohëzgjatjen e punimeve dhe për problematikat e adresuara nga studentët.

Një pjesë e studentëve të cilët janë akomoduar në godinat e Qytetit Studenti para apo dhe jashtë kamerave thonë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kohëzgjatjen e punimeve nga Drejtoria e Qytet Studentit.