Autoriteti i Mediave Audiovizive ka shtyrë fikjen e transmetimeve analoge për 4 muaj. 

Vendimi u bë i ditur nga Gentian Sala, kryetar i AMA, sipas të cilit ky sinjal do të riaktivizohet deri në 15 janar të vitit tjetër, për “hir të të drejtës kushtetuese të të gjithë qytetarëve për informim” siç u shpreh ai.

Vendimi është marrë pas irritimit të qytetarëve që qëndruan nëpër radhë të gjata për të blerë dekodera në Tiranë dhe në Durrës, pas fikjes së sinjalit.

“Kemi vendosur ridezjen e transmetimeve analoge. Për ata që kanë blerë aparatin e ri do të vijojnë që të shikojnë transmetimet dixhitale, ndërkohë që ata që ende nuk janë pajisur u lihet katër muaj kohë për t’u pajisur me dekodera, do të shtyhet afati në 15 janar 2019. Me gjithë njoftimet prej një viti, konstatohet se shumë prej tyre e kanë lënë për një moment të fundit. Përpara se të vij data 15 janar 2019, kini parasysh se dekoderi DVB-T2 kushton 2990. Ndërsa ata persona, të cilët kanë televizor të ri të tipit DVB-T2, e kanë të inkorporuar dekoderin që do të thotë nuk kanë nevojë të blejnë një të tillë të ri”, u shpreh Kreu i AMA-s, Gentian Sala.