Gjykata e Lartë vendos të kalojë për shqyrtim rekursin e prokurorisë kundër lirimit me kusht të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.

Nga Klodiana Lala

Çështja e shumëpërfolur, që solli edhe reagimin e ambasadorit amerikan Donald Lu, kishte mbetur në dhomën e këshillimit prej afro një viti. Por vetëm pak ditë më parë treshja e gjykatësve, firmosi ta kalojë në seancë, me argumentin se ka shkaqe për t’iu nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Dhoma e këshillimit, është filtri i parë që çdo çështje duhet të kalojë në gjykatën supreme.

Në rastin e Lulzim Berishës është vendosur që dosja të kalojë për gjykim dhe jo të mbyllet me mospranim rekursi, çka do të ishte arkivim përfundimtar i çështjes. Tashmë, kolegji penal me relator Artan Zenelin, duhet të caktojë datën për zhvillimin e procesit, në përfundim të të cilit do të vendosë nëse ishte apo jo i drejtë verdikti i Apelit të Durrësit për lirimin me kusht të të dënuarit për vrasje.

Pas dhjetë vitesh qëndrimi në qeli, Lulzim Berisha rifitoi lirinë me kusht në dhjetor të 2016. Krahas të tjerave, për lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Apeli, mori në konsideratë garancinë për punësim të ofruar për të dënuarin nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.

Më herët gjykata supreme ka vendosur të kalojë më mospranim rekursi disa nga çështjet më të rëndësishme, siç është ajo e Gërdecit, 21 janarit, apo Arben Frrokut.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Padi në drejtim të Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku