Autoritetet malazeze kanë dhënë disa prova të reja në lidhje me çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këto autoritete i kanë kthyer përgjigje Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me informacionet e kërkuara për lëvizjet e ish-ministrit Saimir Tahiri në Mal të Zi.

Organi i akuzës ka bërë me dije se autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi kanë konfirmuar edhe një herë se Tahiri së bashku me familjen e tij ka udhëtuar me makinë nga pika e Muriqanit verën e vitit të shkuar në drejtim të Malit të Zi.

Po ashtu mësohet se në përgjigjen e mbërritur, janë shënuar me detaje orari i nisjes së jahtit si dhe emrat e personave që shoqëronin
Tahirin në udhëtim.

Këta emra të përmendur në shkresat e dërguara nga Mali i Zi do të merren në pyetje nga grupi hetimor. Kurse prokurorët shqiptarë kanë dyshime se udhëtimi i Tahirit nga Mali i Zi drejt Italisë ka të bëjë me aktivitetin e grupit të vëllezërve Habilaj të akuzuar për trafik droge.

Hetimet ndaj Tahirit nisën një vit më parë. Nëse këto dyshime vërtetohen atëherë ish-ministrin e Brendshëm e presin prangat.