Saimir Tahiri, kryetari i PS për Tiranën ishte në një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH në kampingun e Jalës. Teksa dha disa përgjigje për qeverisjen e ardhëshme ai u shpreh dhe lidhur me mundësin e të qënurit ministër sërish në qeverinë ‘Rama 2’.

Gjithashtu Tahiri foli dhe për gjendjen e administratës dhe zyrave të saj.

“Sot administrata është një depozitë e madhe njerëzish, që jo rrallë nuk e meritojnë dhe prandaj ndodh që shërbimi është i ngadaltë, është me korrupsion. Por kush është jurist këtu e kupton që kjo ndodh jo vetëm pse njeriu është gabim aty, por se ndoshta ka nevojë që të shikohet edhe ligji, deri në pikën ku të ndjekësh rrugën ligjore është më e kollajtë, më e lehtë, sesa të ndjekësh rrugën joligjore, pra të japësh ca lekë dhe ta marrësh shërbimin. Kur të vijë dita që rruga ligjore të jetë më e thjeshtë se rruga joligjore, ne kemi reformuar sistemin deri në pikën që praktikisht të ofrosh lekë apo të kesh punonjës që marrë lekë, është e panevojshme. Dhe ajo ditë, unë them vjen, duke reformuar gjithë sistemin”, u shpreh ai.

Tahiri u pyet nëse do të ishte përsëri ministër i Brendshëm, dhe ai e mohoi kategorikisht mundësinë për të qenë sërish ministër i Brendshëm.

“Jo, unë nuk do jem ministër i Brendshëm dhe besoj që çdo punë e ka një fillim dhe një fund. Nuk ka rëndësi sa kohë je në një punë, ka rëndësi çfarë bën gjatë kohës që je. Unë them që u përpoqa të bëj më të mirën time. Besoj që cilido është pasardhësi, do e ketë të vështirë të zhbëjë gjithë atë që u rregullua”, tha ish-ministri.