Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës ishte i pranishëm në Samitin e dytë të Diasporës. Thaçi u shpreh se pavarësia e Kosovës është produkt i mundit dhe i sakrificës  së Diasporës shqiptare.

Gjithashtu, Thaçi theksoi se ne jemi të bekuar si komb pasi kemi mbështetjen e SHBA-ve.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që marrë pjesë në kongresin e dytë të Diasporës dhe shpreh falënderimet për të gjitha ata që kanë kontribuuar për mbledhjen e saj. Realisht kontributi juaj, kudo që jeni në SHBA, Europë ka qenë i jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirin  dhe pavarësinë e Kosovës, për lirinë e shqiptarëve në Maqedoni. Ju keni ndarë edhe kafshatën e gojës për UÇK.

Liria dhe pavarësia e Kosovës është produkt i juaj, i fëmijëve tuaj dhe ne përulemi për kontributin tuaj. Sot kombi shqiptar ka nevojë vetëm të fuqizohet në angazhimet euroatlantike  dhe te lëvizë drejt të ardhmes euroatlantike. Të gjithëve na duhet një Shqipëria që sheh përpara dhe këtë e duan edhe miqtë tanë. Kosova nuk ka vetëm miq edhe partnerë, por ka edhe kundërshtarë të pavarësisë që pengojnë  progresin e Kosovës. Kosova ka bërë progres në ekonomi dhe ky është kontributi juaj. Kosova është në një rrugë të sigurt të perspektives.

Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes dhe multietnike. Ne jemi të bekuar si komb, që kemi mbështetjen  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tashmë jemi në një moment të volitshëm, ku Kosova me ndihmën e SHBA dhe Evropës po angazhohet për  nxjerrjen e rezolutës për të hyrë në dialogun përfundimtar me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo do të garantonte njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kosova do të angazhohet vetëm në një proces ku BE e udhëheq atë proces. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë të qarkullojnë ide e ndonjë unionin ballkanik, sepse ky union është cenim i kombit tonë. Unioni i kombit shqiptar është NATO, Europa dhe SHBA.”, tha Thaçi.