Guvernatorë, ministrat e financave dhe drejtuesit e administratave tatimore të vendeve të rajonit janë mbledhur në samitin e tetë në Mali e Zi. Temë e këtij samiti ishte “Stabiliteti financiar dhe monetar në rrethanat e rritjes së ngadalësuar të Eurozonës”.

Në ditën e parë të këtij samiti pjesëmarrës ishte edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Në fjalën e tij guvernatori Sejko teksa bëri një ekspoze të ecurisë financiare dhe ekonomike të vendi teksa theksoi se ruajtja e inflacionit në nivelin 3 për qind mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe me stabilizimin e kursit të këmbimit, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda dy viteve të ardhshme.

Banka e Shqipërisë do të përdorë çdo instrument të saj ligjor për arritjen e stabilitetit të çmimeve. E rëndësishme sipas guvernatorit është edhe harmonizimi i politikës fiskale me atë monetare si parakusht i nevojshëm për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Pjesë e Samitit ishte edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti i cili tha se për BQK-në mbetet sfidë ruajtja e stabilitetit financiar.

“Përvojat e deritanishme kanë treguar se trajtimi I krizave financiare është I kushtueshëm dhe nuk mund të kthehemi në gjendjen ku kemi qenë më parë, por duhet të punojmë në parandalimin e krizave të mundshme financiare. Është më mirë të shfrytëzohen mundësitë për një komunikim të bankave qendrore dhe komerciale se ku është sektori bankiar. Ne si BQK kemi krijuar një kornizë të re raportuese që na mundëson të shohim analizën e riskut’, tha guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi u shpreh se ekonomia e tyre ka një nivel të pamjaftueshëm të konkurrueshmërisë ndërsa guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnje Hercegovinës u shpreh se i vetmi instrument i Bankës Qendrore janë rezerva. Për Michael Faulend nga Banka Nacionale e Kroacisë kursi i këmbimit është i fiksuar teksa tha se nuk kanë probleme me kapitalin.

Në ditën e dytë të Samiti priten diskutime nga ministrat e financave për stabilitetin e financave publike dhe rritjen ekonomike.