Shalqiri të largon etjen dhe të shijon. Ai është një aleat i përkryer i stinës së verës për ata që janë të kujdesshëm për linjat e tyre. Përbëhet nga 95% ujë, ka vetëm 16 kalori dhe sasia e sheqerit që përmban është e pakonsiderueshme, vetëm 3.7 gram. Është fruti ideal për ata që s’duan të shëndoshen, pasi nëse konsumohet para vakteve, largon ndjesinë e urisë duke provokuar një ndjenjë ngopjeje të padëmshme.

Stabilizon përmbajtjen e kripërave minerale

Por nuk mjafton me kaq: shalqiri është i pasur me kalium, një mineral thelbësor për kontraktimet e muskujve. Për këtë arsye është ideal për muajt e verës pasi lejon ristabilizimin e lëngjeve dhe kripërave minerale të humbura nëpërmjet djersës (duke shmangur një efekt anësor të shkaktuar nga dehidratimi siç janë ngërçet). Përveç kësaj, sasia e sheqerit që përmban është minimale.

Shalqiri bllokon tretjen? Jo, është një mit i rremë

Mund të konsumohet në mëngjes, gjatë ose pas vakteve. Kur të dëshironi! Historia që shalqiri nuk tretet lehtë është një legjendë pa baza. Madje, falë fibrave që përmban favorizon peristaltikën e zorrëve, pra lëvizjet që lejojnë përparimin e ushqimit (pasi ka kaluar në stomak), nga duodenumi tek zorra e trashë. Megjithatë, nuk duhet tepruar me konsumimin e tij, sasitë e rekomanduara janë 200 – 300 gramë në vakt. E vetmja e vërtetë nga legjenda është se konsumimi i sasive të mëdha të shalqirit mund të provokojnë një ndjenjë rëndese. Megjithatë kjo nuk ka të bëjë me faktin që shalqiri nuk tretet kollaj. Arsyeja për këtë është se tuli përbëhet nga ujë, sheqer dhe fibra, por edhe nga disa substanca komplekse, si pektina dhe mbi të gjitha celuloza e cila ka një strukturë kimike të ngjashme me rrjetën. Enzimat e stomakut nuk arrijnë ta shpërbëjnë këtë fibër e cila ka prirje të zgjatet në muret e stomakut duke dhënë ndjesinë e ngopjes. Por ta themi troç, një copë e madhe dhe e bukur shalqiri nuk i bën dëm askujt!

Shalqiri i shitur në kioskat e rrugëve është i sigurt

Duhet të keni parasysh që shalqiri nuk paraqet rreziqe specifike kontaminimi nga baktere apo patogjenë pasi përmban substanca që ndihmojë në mbajtjen larg të këtyre baktereve. Kështu që mund të blini pa frikë shalqi nëpër kioskat e rrugëve, në plazhe apo qytet. Në shtëpi, ruajtja e shalqirit në frigorifer nuk mund të zgjasë më shumë se dy-tre ditë pasi ai fillon të humbasë vlerat e tij ushqyese.

A mund ta konsumojnë të gjithë?

Së fundmi, shalqiri për shkak të përmbajtjes të ulët të sheqerit, sugjerohet për diabetikët, për të sëmurët me aterosklerozë dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Nuk këshillohet vetëm për ata që vuajnë nga djegiet klasike të stomakut apo nga sindroma e acarimit të zorrës së trashë, pasi fibra që përmban tuli i shalqirit mund t’i acarojë më tej këto problematika. Për njerëzit që mund të kenë një alergji të lehtë nga frutat si kivi dhe luleshtrydhja, shalqiri mund të provokojë të përziera ose një ndjesi kruajtje në gjuhë.