Më 9 Korrik të 2018-ës në Senatin e SHBA-ve mbërriti nominimi i Kathleen Ann Kavalec për pozicionin e Ambasadores amerikane në Shqipëri, ndërkohë që ditën e sotme qarkulloi lajmi për bllokimin e kandidaturës së Kavalec. 

Nominimi i kandidaturës së Kavalec iu është rikthyer presidentit Trump, dhe është në dorën e këtij të fundit nëse vendos të zgjedhë të rinominojë Kavalec, ose të ndryshojë emrin e përzgjedhur për Ambasadën e SHBA në Tiranë.  

Kathleen Ann Kavalec njihet si një diplomate karriere, me një përvojë rreth 30-vjeçare si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.  

Aktualisht Kathleen Ann Kavalec shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Më parë ka shërbyer si Drejtoreshë e Zyrës së Punëve Ruse, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-ve në UNESCO në Paris, Zëvendës Koordinatore për Ndihmë në Byronë Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtim dhe Stabilizim.

Kavalec flet rrjedhshëm gjuhët frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze.