Ballina Shendeti Infeksionet e veshit të mesëm dhe pasojat nga mostrajtimi

Infeksionet e veshit të mesëm dhe pasojat nga mostrajtimi

Mostrajtimi në kohë i një sëmundje apo edhe mjekimi i gabuar mund të sjellin pasoja të rënda, ndaj është me rëndësi të reagohet në kohë ndaj çdo shenje a simptome.

Një nga problemet e shpeshta në shërbimin ORL janë infeksionet akute të veshit të mesëm, shkaktuar nga baktere të ndryshme që bëhen patogjene, sidomos gjatë stinës së dimrit, virozave stinore dhe kur imuniteti i organizmit bie, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e inflamacioneve respiratore.

Elma Xhokaxhi, mjeke ORL pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.2, Tiranë, tregon për gazetën “Shëndet +” se këto infeksione fillojnë me bllokim të veshit dhe dhimbje të forta që e detyrojnë pacientin të paraqitet tek mjeku. Ndërkohë që simptoma të tjera janë edhe temperatura e lartë 38/39 gradë, dhimbja e kokës, ulja e dëgjimit, sekrecionet nga hundët etj.

Sa i përket komplikacioneve, ajo përmend mastoiditin akut kur infeksioni prek strukturat kockore prapa veshit (kockën mastoide) dhe meningitin otogjen kur infeksioni prek cipat e trurit. Ndaj është me shumë rëndësi të vlerësojmë çdo simptomë e rrufë të thjeshtë që na paraqitet me hipotermi e të drejtohemi menjëherë tek mjeku.

Çfarë janë infeksionet akute të veshit të mesëm dhe nga se shkaktohen ato?
Infeksioni akut i veshit të mesëm, i njohur ndryshe si otiti akut i veshit të mesëm, është një infeksion i shpeshtë shkaktuar nga baktere të ndryshme që bëhen patogjene gjatë stinës së ftohtë të dimrit kur shfaqen virozat stinore dhe imuniteti i organizmit bie, duke krijuar kushte për inflamacione të sipërme respiratore.

Otiti mesëm akut prek daullen e veshit (membranën timpanike) dhe hapësirën e veshit të mesëm (kaviteti timpanik), ku ndodhen edhe tre kocka të vogla që në formën e një zinxhiri kockor transmetojnë dëgjimin. Në kushte normale, kaviteti timpanik nuk ka lëng, por është i mbushur me ajër, ku presioni është i njëjtë me presionin e ajrit jashtë daulles së veshit, dhe kështu veshi funksionon normalisht. Ajrosja e tij bëhet nëpërmjet hundës, që komunikon me veshin e mesëm nëpërmjet një tubi ajrosës që quhet tubi eustakut. Gjithë problematikat fillojnë kur për një shkak të caktuar ndodh prishja e ajrosjes së veshit të mesëm nga disfunksioni i hundës apo i tubit të eustakut.

LEXO EDHE:  Ja si ti eliminoni njollat në fytyrë duke përdorur qumësht

Nga sa u tha më sipër, ka faktor predispozues që mund të jenë:

Një rhinofaringit.

Një rinit alergjik stinor.

Një shtrembërim i perdes së hundës, te fëmijët e vegjël.

Vegetatio adenoidea, apo siç njihet ndryshe nga populli mishi i huaj në hundë, por që në fakt është ënjtja e bajames së hundës.

Mikrobet më të shpeshta janë streptokoku, pneumokoku, hemophilus influenca, moraxella catarrhalis.

Cila është grupmosha më e prekur?
Grupmosha më e prekur janë fëmijët e vegjël të moshave parashkollore, të cilët janë më të predispozuar për të bërë infeksione të traktit të sipërm respirator pasi edhe vetë jeta kolektive në çerdhe e kopshte shërben si rrugë për t’u përhapur virozat stinore. Tek fëmijët nën tre vjeç ndihmon për t’u shfaqur otiti akut ndërtimi anatomik specifik.

Tubi i eustakut është më i gjerë, më i shkurtër dhe i vendosur më horizontalisht, kështu një infeksion i hundës apo i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes do të kalojë shumë lehtësisht në vesh nëpërmjet TE (tubit eustakut).

Fëmijët e vegjël janë rastet më të vështira, pasi nuk tregojnë dot me fjalë shqetësimin e tyre. Ajo që duhet të ketë parasysh një nënë e re me fëmijë në gji është kundërshtimi i pirjes së gjirit nga ana bebit. Nëna duhet të kuptojë që me fëmijën ka diçka që nuk shkon. Fëmija ka bllokim hundësh, kundërshton gjirin sepse kërkon të marrë frymë me gojë. Pas bllokimit të hundës do të fillojë një problem inflamator veshi, prandaj nëna që në këtë moment që fëmija kundërshton herë pas here gjirin dhe grindet së tepërmi duhet të drejtohet për vizitë te mjeku.

Këshilla
Kur jemi me rrufë të shprehur dhe bllokim të fortë hundësh, mirë është të shmangim udhëtimet me avion, udhëtime në male apo zhytjet në pishina. Në këto raste, veshi që është i mbushur me sekrecione nga prishja e balancave të presionit midis veshit të mesëm dhe atij të jashtëm është i prirur për të bërë perforacion spontan.

LEXO EDHE:  Ju shqetëson dridhja e shpeshtë e qepallës së syrit, ja ç'thonë mjekët

Nënat e reja të vlerësojnë grindjet e bebave dhe kundërshtimin e pirjes së gjirit nga ata. Me pak fjalë, ndryshimet klimaterike dhe shpërthimin e virozave stinore nuk i kontrollojmë dot, por mund të parandalojmë zhvillimin e një otiti të mesëm akut me çarje daulle dhe komplikacione.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook