Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin gjatë natës ku një i ri është vrarë me thikë.

Sipas informacioneve paraprake mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës pranë stadiumit, ku dy grupe të rinjsh janë përfshirë në një sherr i cili degjeneroi në përdorimin e thikave duke qëlluar 22-vjeçarin disa herë me thikë.

I riu është dërguar menjëherë drejt Spitalit të Traumës por pa mundur të shpëtojë dot për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë në trup.

Viktima është identifikuar si shtetasi Marvi Mihali, 22-vjeç, banues në Tiranë.

ARRESTIMET
Policia ka arrestuar autorin e vrasjes së 22-vjeçarit. Mësohet se fillimisht i riu është përfshirë në një konflikt me një 19-vjeçar. Më pas ka ndërhyrë kushëriri i tij dhe shokët. Ka qenë pikërisht 24-vjeçari Eugen Bitraj sipas policisë që ka qëlluar me thikë 22-vjeçarin.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 31.07.2017, rreth orës 23.30 në rrugën ” Gjin Bue Shpata”, shtetasi M.M., 22 vjeç është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D.B., 19 vjeç.

Në ndihmë të shtetasit D.B, ka ardhur kushëriri i tij shtetasi E. B., së bashku me shtetasit K. A., dhe M.A. Gjatë konfliktit shtetasi E. B., ka nxjerrë thikën dhe ka goditur shtetasin M. M., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në spital.

LEXO EDHE:  Martohet nipi i ish-deputetit, "shkund" Shqipërinë me eskortën e makinave luksoze

Si rezultat i reagimit të shpejtë e profesional të shërbimeve të policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është bërë e mundur zbardhja në kohë reale e ngjarjes, kapja dhe shoqërimi i gjithë personave të përfshirë në konflikt.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi si autor i ngjarjes i shtetasit:
– Eugen Bitraj, 24 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe janë arrestuar si bashkëpunëtore në krim shtetasit :
– Dejvi Bitraj,19 vjeç, banues në Tiranë.
– Kridens Alla,19 vjeç, banues Tiranë .
– Marsel Alla, 23 vjeç, banues Tiranë.
Materialet u referuan në Prokurori, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprën penale të “Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”.