Bashkia e Shkodrës ka mbyllur dyert e disa shkollave në mënyrë që ato të mos shërbejnë si qendra votimi për zgjedhjet e së dielës. Kjo bashki ka dhënë urdhër të prerë që të mos futen materialet zgjedhore në KZAZ-të, ndërsa është shprehur se do të respektojë deri në fund dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili vendosi 13 tetorin si datë zgjedhjesh.

Mbyllja e shkollave është bërë në Velipojë dhe në Grudë, ndërsa ka nisur puna për shpërndarjen e materialeve zgjedhore në shkollat, ku nuk ka pengesa nga ana e bashkisë.

“Bashkia e Shkodres ka riperseritur njoftimin per ish- KZAZ- të, te cilat ne shkelje te Dekretit te Presidentit, vazhdojne te konsiderohen te tilla nga KQZ. Shkresat zyrtare jane nje mundesi per te paralajmeruar dhe ndihmuar te mos shkelin ligjin, te gjithe individet e paautorizuar qe mund te tentojne te hyjne ne asetet ne pronesi e administrim te Bashkise Shkoder. Jemi te vendosur ti menaxhojne ne zbatim te ligjit 139/2015 “Per veteqeverisjen vendore”. Ne cdo rast qe do te cenohen institucionet, te gjithe shkelesit do te kallezohen penalisht”-thuhet në njoftim.