E gjeti veten pa pritur dhe pa pandehur në mes të një martese. Jo të një martese dosido, por të tijën. Është kjo ajo që i ka ndodhur një 42-vjeçari italian nga Reggio Emilia.

Në maj të vitit 2013, ai kishte nisur të njihej me një vajzë nga Vietnami nëpërmjet Skype, me këshillën e një çifti miqsh, të cilët ishin të afërm të vajzës.

Frekuentimi virtual u kthye në bumerang, pasi pak kohë më vonë, në muajin gusht 42-vjeçarit iu propozua që të shkonte të takonte vajzën. “Shihe se ndoshta lind diçka, ne të paguajmë udhëtimin dhe ti bën ca pushime të bukura në Vietnam”, i thanë miqtë.

Por sapo mbërriti, ai u detyrua të martohej me vajzën, në mënyrë që ajo të merrte leje qëndrimi në Itali dhe se nëse do të refuzonte nuk do e lejonin që të kthehej në shtëpi.

Pas pesë vitesh, javën e kaluar u mbajt seanca gjyqësore në gjykatën e Reggio Emilia, ku martesa u anulua, duke u cilësuar se u bë me dhunë dhe kërcënim.

Makthi nisi në shtator të vitit 2013, kur burri i joshur nga propozimi i miqve dhe nga bukuria e vajzës Ly, asokohe 25 vjeçe, vendosi që të nisej në Vietnam, i shoqëruar nga një shoku i tij. Kur mbërritën shoqëruesi i tij u shkëput, ndërsa ai shkoi në fshatin ku jetonte Ly dhe familja e saj. Aty ai u detyrua që të dorëzojë pasaportën dhe paratë, rreth 3 mijë euro, pasi iu tha se ishte e rrezikshme që ti mbante me vete.

LEXO EDHE:  "Nuk duhet të ketë të paprekshëm", ja deklarata e fortë e ministrit italian

Me kalimin e kohës prindërit dhe të afërmit e vajzës nisën të bëhen posesiv dhe e dërguan djalin në një tendë. Aty nisi të ndjejë se po i bëhej kurth, por nuk kuptonte arsyen.

Gjithçka u qartësua kur mikesha e tij, tezja e Ly, i telefonoi nga Italia duke e lajmëruar për dasmën.

I frikësuar kërkoi që të kthehej menjëherë në Itali, por përgjigja që mori e shqetësoi edhe më shumë, “Ti nuk do ikësh askund, do rrish pasi nëse hap probleme në vendin tënd nuk do të kthehesh kurrë”.

Në 7 shtator, ai u detyrua që të martohej dhe të firmoste disa dokumente në gjuhën vietnamite.

Në datën 29 të të njëjtit muaj, burri më në fund mundi të kthehej në shtëpi, por jo vetëm, me të shoqen. Pasi u kthye në Itali të afërmit e vajzës e detyruan që të shkonte në kuesturë, në mënyrë që Ly të merrte lejen e qëndrimit.

Pas dy javësh e reja ishte zhdukur. Ndërkohë 42-vjeçari gjeti një avokat dhe nisi procedurat për anulimin e martesës.