Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka shkuar ditën e sotme të mbështesë studentët e Ekonomikut të cilët vijojnë protestën e tyre, duke u ngujuar në ambientet e brendshme të Fakultetit. 

Ndërkohë që si mbrëmjen e djeshme, ashtu edhe në orët e para të mëngjesit studentët janë hasur në konfrontime fizike me rojet dhe policinë.   

Ndërkohë që Boçi deklaroi për studentët se kishte shkuar për të larguar Policinë e Shtetit që aty, deputeti ka hasur në rezistencën e studentëve, pasi këto të fundit nuk kanë pranuar që ai të jetë prezent aty. 

Studentët kanë kërkuar largimin e Boçit për shkak se nuk pranojnë që protesta të politizohet.

“Vazhdoni jashtë, na mirëkuptoni. Ju lutem vazhdoni jashtë. Nuk ndihemi të përfaqësuar nga asnjë deputet i Kuvendit. Largohuni!,” thanë studentët në kor.

“Kam ardhur për të larguar policinë, vetëm për këtë mision. Do largohemi bashkë me policinë, mos bëj detyrën partiake,” u shpreh Boçi.

“Kur protestojmë, del kryeministri dhe na thotë jeni të opozitës. Kur u themi deputetëve të opozitës largohuni, na thotë bëni detyrën e partisë, dmth qeverisë. A e kuptoni sa hipokritë jeni të dyja palët?!,” u përgjigjën studentët.