Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme pranë një pike karburanti në Korçë, ku nga shpërthimi i saj kanë mbetur të plagosur 4 persona.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se makina kishte ndaluar pranë një karburanti në dalje të qytetit për të marrë një porosi.

Drejtuesja e mjetit ka ndezur një cigare me çakmak, çka ka sjellë që makina të përfshihet nga zjarri pasi ka pasur rrjedhje gazi si pasojë e impiantit që ishte instaluar në mjet.

Ka qene ndërhyrja e zjarrfikëses ajo që ka berë të mundur shuarjen në kohe të flakëve për të shmangur kështu një tragjedi.

Njoftimi i Policisë
Më datë 27.12.2018, jemi njoftuar se në lagjen nr 9, ka rënë zjarr në mjetin tip “Benz” me targa AA575PT, në pronësi të shtetases V.D, i cili ka qenë i ndaluar pranë një karburanti.

Për pasojë kanë marrë dëmtime shtetasi D.M, (punonjës i karburantit) drejtuesja e mjetit V.D, shtetasja J.O dhe shtetasi F.D, që ndodheshin brenda në mjet, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshohet se në mjet ka pasur rrjedhje gazi dhe zjarri mund të ketë rënë aksidentalisht, nga ndezja e një cigareje nga drejtuesja e mjetit.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përcaktuar shkaqet e rënies të zjarrit.