Nga Ergys Mërtiri
Kryetari i Komisionit të ligjeve Ulsi Manja tha në emisionin “Të paekspozuarit” se Fatos Lubonja po bën thirrje për “krijim turbullirash” gjë që “është e dënueshme nga kodi penal”. Duke i shtuar kësaj edhe deklarimin se ai duhet dënuar penalisht “në një shtet ku funksionon ligji” (e, në këndvështrimin e z. Manja, Shqipëria është një shtet i tillë tashmë me qeverisjen e partisë së tij), gjithçka kthehet në një kërcënim të drejtpërdrejtë, për Lubonjën dhe të tjerët si ai. 

Natyrisht, shprehje të tilla, të ardhura për më tepër nga kryejuristi i parlamentit, tregojnë se në çfarë niveli qesharak e gjynahqar ka rënë qeverisja. Në një kohë kur z. Manja u ekspozua gjerësisht si mbrojtësi kryesor i Tahirit në seancën e kërkesës së prokurorisë për arrestimin e tij, sot ai i tregon publikut kodin penal, kundër një prej zërave më të pakompromis në zbardhjen e të vërtetave të paimagjinueshme që po ngjasin në këtë vend!

Ulsi Manja, ndoshta mund të mos e dijë, por liria e shprehjes është një nga parimet themelore të një vendi demokratik dhe prevalon edhe përballë rasteve të abuzimit me të (sikur të kishte ndopak abuzim në ato çfarë thotë Lubonja). Nga ana tjetër, Manja duhet të dijë se, si njeri në pushtet, e aq më tepër, në një pushtet të zhytur në llucën e horrave kriminelë e trafikantë, është në konflikt interesi me fjalën e lirë dhe nuk ka gojë të flasë kundër për të. 

Ndoshta z. Manja do të ishte jurist i shkëlqyer gjatë kohës së Enverit, ku edhe mund të akuzojë njerëz për agjitacion e propagandë, dhe grup armiqësor në bashkëpunim me armikun e klasës. Lubonja e ka bërë njëherë një burg me akuza të tilla, gjatë kohës kur partia e z. Manja udhëhiqte e vetme nga fitorja në fitorje. 

Por, dikush duhet t’i tregojë atij se jetojmë në kohë të tjera, dhe pavarësisht se shefi i tij po qeveris me të njëjtat mjete dhe duket se po e rikthen deri diku epokën e lavdishme të marksizëm-leninizmit, përsëri disa gjëra kanë humbur përgjithmonë. Për këtë arsye, përpjekja anakronike e z. Manja për të rimishëruar figurën e Aranit Çelës prodhon vetëm humor. 

Tragjik këtu është fakti që, ndërsa njerëz si ai shfaqen kaq “të aftë” e të predispozuar për të zbuluar grupe armiqësore, shqisat e tyre janë totalisht jashtë funksionimi për të parë grupet kriminale, me të cilët bashkëqeveris udhëheqja e partisë së tij.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook