Shumë kompani rivale të Elon Musk janë përpjekur prej kohësh të hedhin poshtë propozimin e tij për Hyperloop – një sistem inovativ i transportit të mallrave dhe njerëzve, që priret të shkurtojnë në kohë udhëtimet në distanca të largëta. Por duket se rivali më i madh i ekipit të Elon Musk, të përbërë nga kompania Tesla dhe SpaceX, është një 13-vjeçare.

Caroline Crouchley, një nxënëse nga New York-u, mund të ketë shpikur një zgjidhje më të qëndrueshme dhe më miqësore ndaj mjedisit. Ideja e saj fitoi vendin e dytë në 3M Young Scientist Challenge, një konkurs vjetor për shkencëtarët e rinj. Koncepti i Crouchley-t bazohet në ndërtimin e tubave pneumatikë pranë stacioneve ekzistuese të trenave. Një shpikje e tillë pritet të ulë kostot e infrastrukturës dhe duket më e sigurt.

Ndryshe nga Hyperloop i Musk, dizajni i saj mbështetet në 100% energji të rinovueshme, që eleminon nevojën për një motor me naftë ose elektrik. Kjo gjë i bën trenat më të lehtë e rrjedhimisht më të shpejtë.

Disa ekspertë janë treguar skeptikë përsa i përket propozimit të Elon Musk duke theksuar se projekti i tij injoron shpenzimet dhe rreziqet e teknologjisë dhe nuk është praktik. Sipas tyre, Hyperloop mund të sjellë probleme si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike si edhe të jetë i pasigurt ndaj sulmeve terroriste.