Ministri i infrastrukturës  dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se së shpejti Shqipëria do të nxjerrë në shitje edhe blloqet e lira të naftës në Adriatik dhe Jon. Pjesë e këtyre ankandeve të puseve të naftës do të jenë edhe blloku i njohur me emrin Jon 5, në kufi me Korfuzin.

Kompania “Capricon Albania” ka përfunduar kontratën e kërkimeve që kishte në këtë zonë naftmbajtëse me shtetin shqiptar.

“Kjo vlen që ne të marketojmë më mirë pasuritë tona nesër për investitorë të huaj. Shumë shpejt do të hapim dhe garat për blloqet “off shore”, pra në detin Adriatik dhe Jon. Pasja e këtyre të dhënave elektronike dhe formatimi i tyre në mënyrën e duhur do të bëjë që ne të kemi mundësi të negociojmë kontrata më të mira, por edhe investitorët të njihen me të dhënat historike të të gjithë pasurive”, tha Gjiknuri.

Historiku i kërkimeve të naftës në Shiqpëri ka nisur që në vitin 1927 dhe shumë të dhëna për sasitë e arit të zi që mendohet të kenë blloqet janë konfidenciale. Arkiva Teknike Hidrokarbure në Fier do të dixhitalizohet përmes një donacioni me vlerë prej gjysmë milion Paundi që po jep kompania Shell.