Edhe pse me mbarimin e muajit gusht janë larguar edhe temperaturat e larta, muaji shtator pritet që të jetë i nxehtë sidomos në dhjetëditëshin e parë, ku temperaturat do të arrijnë deri në 33 gradë celcius.

Në një lidhje telefonike për News 24 sinoptikania, Lajda Porja tha se temperaturat e larta do të vijojnë edhe në shtator. Sipas saj temperaturat duke i krahasuar me gushtin janë më të ulëta por duke i krahasuar me temperaturat mesatare të muajit shtator janë 3 -4 gradë më të larta. Ndërsa reshjet intensive pritet që të jetë të spostuara në pjesën e dytë të vjeshtës, në muajin tetor dhe nëntor.

“ Ka pasur një rënie të lehtë të vlerave termike në orët e para të mëngjesit , duke e bërë disi më të freskët duke e krahasuar me muajin përvëlues që në sapo kaluam. Gushti në të gjitha ditët e tij ka pasur vlera termike shumë më të larta sesa ato normale.
Edhe pse temperaturat kanë pasur një rënie në orët e para të mëngjesin, në orët e mesditës pritet që temperaturat të luhaten nga 27-33 gradë. Duke i krahasuar me gushtin janë më të ulëta por duke i krahasuar me temperaturat mesatare të muajit shtator janë 3 -4 gradë më të larta. Parashikohet që temperaturat e larta të mbeten prezent deri në datën 10 shtator. Edhe në zonat bregdetare është një kohë shumë e përshtatshme për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë pushime në muajin gusht.

Megjithatë pasditen e sotme pritet që të ketë zhvillim të vranësirave duke sjellë rrebeshe shiu, të cilat do të jenë kryesisht të përqendruara në zonat jug, juglindore por edhe në zonat qendrore, në Elbasan, Krujë dhe në Tiranë. Këto rrebeshe do të zgjasin shumë pak. Në bregdetin e Jonit gjatë pasdites dhe mbrëmjes pritet të ketë erëra deri në 64 km\h duke bërë që deti të jetë mjaft i trazuar.
Por kjo situatë do të jetë vetëm sot pasi nesër pritet që këto reshje të zhvendosen vetëm në ekstremin verior dhe kryesisht në zonat lokale qendrore në malësinë e Elbasanit, apo edhe në Krujë e më pas pjesa tjetër do të jetë e qëndrueshme.
Krahasuar me vendet fqinjë, Italia, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi të cilat presin gjatë këtyre dy ditëve stuhi të fuqishme të erës, rrebeshe shiu, Shqipëria megjithëse do të ketë reshje nuk pritet që të ketë reshje problematike.
Pra shtatori parashikohet që të ketë shumë ditë me diell dhe me temperatura të larta sic është parashikuar, do të ketë shumë pak ditë më shi. Ndërkohë që ditët me shi pritet që të vijnë në dhjetëditëshin e fundit të shtatorit por me intensitet të ulët. Ndërsa reshjet intensive pritet që të jetë të spostuara në pjesën e dytë të vjeshtës, në muajin tetor dhe nëntor”- tha sinoptikania Lajda Porja.