Një tjetër ndërtesë shumëkatëshe i shtohet qendrës së Tiranës. Vitin e ardhshëm do të nisë ndërtimi për një objekt 26 katësh në një nga anët e sheshit Skënderbej, që është kthyer në zonë pedonale.

Kulla e lartë do të ndërtohet në sheshin mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, ku nodhet Dhoma e Tregtisë së Tiranës.

Në të njëjtin vend u hap disa vite më parë një gropë, por ajo u kthye më pas në lulishte me vendim të qeverisë Berisha.

Kulla do të quhet “Eyes of Tirana”. Do të ndërtohet nga kompania Edil-Al. Sipërfaqja e ndërtimit me të gjitha katet do të jetë 55.444 m2. Ajo është projektuar nga studio daneze Henning Larsen.

Me planin e ri urbanistik Tiranës pritet t’i shtohen 15 kulla. Por vetë ndërtuesit kanë shprehur shqetësimin se këto ndërtesa të larta do të përfundojnë njësoj si firmat piramidale, pasi Tiranës nuk i nevojiten, në raport me popullsinë që ka.

Nga bulevardi i Ri deri në zonën e liqenit artificial, përfshirë qendrën e Tiranës apo rrugën e Elbasanit, kullat do të jenë deri në 40 kate të larta.

Kulla më e lartë pritet të jetë “Kulla ikonike e Tiranës”, që do të kushtojë 250 milionë dollar dhe do të ndërtohet nga investitori nga Dubai, “Al Habtoor investment LLC”.