Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka kritikuar qeverinë për ekstradimin jashtë shtetit shqiptar të financierit të “Habilajve”, Nezar Seiti.

Ai shkruan në “Facebook” akuza të forta ndaj qeverisë duke e cilësuar si skandal kundrejt drejtësisë në vend.

Sipas Ramës shteti e ndihmoi Nezar Seitin për t’u “arratisur” nga Prokuroria e vendit, në kundërshtim të plotë të procedurave ligjore që duheshin ndjekur.

“Skandal: shteti kundër drejtësisë!

I arrestuari për trafik droge “arratiset” nga qelitë e paraburgimit me ndihmën e shtetit!

Eshtë i paprecedent dhe skandaloz rasti i ekstradimit për në Itali të shtetasit Nezar Seitaj, i ndaluar me urdhër-ndalimi nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që prej datës 19 tetor 2017.
Eshtë shkelur Kodi i Procedurës Penale (nenet 449 dhe 500); është shkelur edhe Ligji për Marrëdhëniet Juridiksionale me Jashtë (nenet 40 dhe 41) !
Në këto kushte, Prokuroria e Krimeve të Rënda duhej të kishte nisur menjëherë hetimin e këtij skandali, që përbën gjithashtu një krim të rëndë shtetëror!
E meqë nuk ka njoftim ta ketë bërē, është në kohë ta bëjë sa më parë, duke filluar çështjen penale në ngarkim të autorëve që organizuan dhe realizuan në bashkëpunim ekstradimin e paligjshëm të të vetmit “peshk të madh” të trafikimit të drogës që kishin të arrestuar, i cili u “arratis” nga qelitë e paraburgimit me ndihmën e shtetit!
Sepse është skandaloze që Prokuroria ka nisur një “hetim administrativ” për prokurorët që arrestuan dhe hetonin trafikantin, ndërkohë që do të duhej të ishin arrestuar tashmë, më e pakta për shpërdorim detyre dhe pengim te hetimit të gjithë ata që në bashkëpunim organizuan dhe realizuan ekstradimin e paligjshëm!
Naiviteti apo injoranca e deklaratës së Prokurorisë së Përgjithëshme dhe e Ministrisë së Drejtësisë se nuk kishin dijeni që ai ishte i arrestuar apo që ndaj tij nuk kishte filluar çështje penale, nuk mund të jenë justifikim e aq më pak argument, për të mbuluar shkeljet e rënda ligjore!
Kështu ndodh kur shteti është kundër drejtësisë dhe kur reforma në drejtësi është e kapur politikisht!”

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Dibër dhe Mat, kapen dy të kërkuar për vjedhje e drogë (Emrat)