Një tjetër vjedhje është konstatuar në një magazinë në Ministrinë e Brendshme pas vjedhjes së armëve në Pashaliman.

Magazina tek Qendra e Furnizimit të Materialeve Teknike ish reparti 100 në Mullet ku krahas materialeve të tjera mbahen dhe armë që përdoren nga efektivët.

Mungesa e armëve që ishin 2 pistoleta të tipit të fundit, është vënë re në muajin dhjetor të vitit të kaluar gjatë rikostruksionit të objektit.

2 valixhet ku ndodheshin armët i kontrolluan personat që merreshin me spostimin e materialeve, dhe pasi i kanë hapur kanë parë që ishin të boshatisura.

Çështja i ka kaluar për t’u hetuar nga SHÇBA, e cila pasi ka kryer verifikimet i ka referuar materialet në prokurorinë e Tiranës.  Referimi është bërë në muajin dhjetor ndërsa i ka rënë për tu hetuar prokurorit Elio Mazreku.

Verifikimet kanë nisur për të përcaktuar kohën kur ka ndodhur vjedhja.

Të dyshuar janë të gjithë personat që kanë patur akses në magazinë si dhe ata që kanë patur për detyre ruajtjen e saj. Gjithashtu valixhet ku mbaheshin armët janë dërguar për ekspertim ne policinë shkencore për të gjetur gjurmët e gishtave te personave që i kanë prekur për herë të fundit.