Prej disa kohësh, medikamenti “Human Albuminë”, mungon në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke i detyruar pacientët ta blejnë në farmaci, pavarësisht çmimit të lartë.

Në një intervistë, i riu me inicialet A. J (dëshiron të ruajë anonimatin për shkak se i ati ende ndodhet në spital) tregon se babai i tij prej 20 ditësh është i shtruar në QSUT e vuan nga cirroza hepatike.

Gjithashtu, 25 vjeçari shton se i është dashur që të sigurojë vetë medikamentin Human Albuminë, pasi QSUT-ja ia ka dhënë të atit vetëm për tri ditë, e më tej tregon i indinjuar sesi infermierja i mori paratë kundrejt premtimit që do i jepte ilaçin.

Sipas tij, pavarësisht se i dha lekët, punonjësja e QSUT-së sërish nuk ia siguroi Human Albuminë. Ky ilaç i përdorur, si zëvendësues plazme kur i sëmuri ka humbje proteinash, në farmaci kushton rreth 50 mijë lekë të vjetra, çmim i papërballueshëm për një pjesë të mirë të pacientëve. Ndërkaq, vetë burime konfidenciale nga QSUT pohojnë se albumina mungon, e madje ka raste që edhe serumet duhet të blihen nga vetë të sëmurët pasi spitali nuk ka gjendje.

Prej sa ditësh është i shtruar në spital babai juaj?
Im atë prej 20 ditësh është i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ai vuan nga cirroza hepatike e me këtë sëmundje, mjekët na kanë thënë që duhet ta marrë përditë medikamentin “Human Albuminë”.

A iu është ofruar ky medikament nga spitali?
Jo! Në 16 ditë, vetëm 3 herë e ka ofruar spitali, ndërsa 2 ditë babi nuk e ka marrë fare ilaçin. Ndërkohë, ne jemi detyruar të blejmë vetë këtë medikament, me rreth 50 mijë lekë të vjetra vetëm një kuti. Për vetëm katër ditë kemi harxhuar rreth 200 mijë lekë të vjetra.

Sa janë mundësitë tuaja ekonomike për të përballuar blerjen e këtij medikamenti?
Kemi arritur t’ia sigurojmë, pasi jeta e njeriut vjen mbi të gjitha. Por ky problem nuk prek vetëm babain tim, por shumë të tjerë. Ne jemi mësuar dhe nuk kemi çfarë të bëjmë, por jam tepër i indinjuar nga situata. Ky është një ilaç shumë i shtrenjtë që vetëm një përqindje shumë e vogël e familjeve shqiptare mund ta përballojnë blerjen e tij. Këtë herë e pashë situatën me sytë e mi dhe është një abuzim, duhet të shembim fasadën e shëndetësisë “falas”.

Si ishte shërbimi i ofruar nga stafi mjekësor i QSUT-së?
Në urgjencën e QSUT-së, kur e çuam fillimisht shërbimi ishte skandal, kishte mjekë që flinin gjumë, të tjerë që nuk të preknin me dorë. Këtë herë e kemi çuar në spital gjatë ndërrimit të turneve të mëngjesit, sepse gjendja shëndetësore e babait u përkeqësua, dhe shkuam të traumatizuar. Na u desh të prisnim shumë, por vetëm me sherr e të bërtitura ia arrita që ta merrnin nën kontroll babin. Në këtë shtet, po nuk pate lekë, vdes!

LEXO EDHE:  Këto janë disa këshilla për të rregulluar tensionin e gjakut pa ilaçe

A ka pasur ndonjë rast ku iu është dashur t’u jepni para mjekëve për të marrë shërbimin?
Shikoja shumë njerëz që nuk reagonin, pavarësisht se e vërteta është e dukshme e madje iu thosha që të flisnin, të çonin zërin për të drejtën e tyre. Por në rastin që nuk e lufton dot sistemin, do detyrohesh ta korruptosh, jepi ndonjë lekë dhe të ndihmojnë.

A kërkuat një shpjegim nga përgjegjësit e QSUT-së në lidhje me mungesën e medikamentit “Human Albumine”?
Kemi dëgjuar që ilaçet vijnë te depot e spitalit, por që edhe mund të shiten ndoshta, sidomos këto që janë të shtrenjta. Ne i dhamë lekë një punonjësi nga personeli i QSUT-së, që na tha se do të na i siguronte ilaçin dhe sërish nuk e solli. Kjo më bëri të indinjohesha shumë dhe që mos paguaja 50 mijë lekë duke e blerë në farmaci ilaçin, po korruptoja një infermiere. Dhe i thamë që do dërgojmë faturat në Ministrinë e Shëndetësisë, çka e frikësoi edhe më shumë infermieren.

Cila është thirrja juaj ndaj shtetit shqiptar?
Nuk besoj të zgjidhet gjë, por thjesht dua të bëj me dije se ilaçet mungojnë, kushdo që përplaset aty haset me këtë fakt, nuk janë mungesë veç për babain tim. Duhet të reagojmë ndaj abuzimeve të tilla që ndodhin në shëndetësi, pasi na prek të gjithëve.

“Ka raste kur serumet blihen nga pacientët”

Punonjësi i QSUT-së: Mungojnë medikamentet
Ndërkaq, burime konfidenciale nga personeli i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pohojnë se medikamenti Human Albumine mungon në këtë spital. “Po! Human Albumine mungon, dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Pacientët detyrohen t’i blejnë vetë, sepse nuk ka gjendje. Madje edhe serumet mungojnë, sidomos të shtunën dhe të dielën. Ose i themi pacientëve ka ndryshuar terapia, ose shkojnë i blejnë vetë”, tregon një nga punonjësit e stafit të QSUT-së. /gsh

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook