Ish-trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi ka folur pas kualifikimit të Skëndërbeut në grupet si dhe për ndeshjen që pritet të zhvillohet me Partizanin e Beogradit. Italiani ishte në Beograd më 14 tetor të vitit 2014 ku kombëtarja së bashku me të pranishmit u dhunuan barbarisht nga tifozët Serb.

Shqipëria e fitoi takimin në tavolinë por De Biazi shprehet se kjo pjesë mund të shmangej dhe se UEFA duhet të shmang me patjetër takimin mes Skëndërbeut dhe Partizanit të Beogradit.

“Jam i surprizuar që do të luajnë bashkë. Mendoja se UEFA do ta kishte evituar një përballje si kjo”, ka deklaruar De Biazi.

GRUPI
Ish-trajneri i Shqipërisë gjithsesi ka vlerësuar me nota pozitive grupin dhe “i ka dhënë” shanse Skënderbeut që të mund të bëjë surprizën. “Nuk është i keq si grup. Mendoj se Skënderbeu do të përballet me kokën lart dhe mund të bëjë mirë gjatë fazës së grupeve”, tha trajneri.

HUMORI NË GJYQ
Gjatë seancave gjyqësore në KAS, ku serbët pretendonin se Shqipëria kishte refuzuar të dilte në fushën e lojës, edhe pasi ishin garantuar kushtet e sigurisë, ish-trajneri De Biazi i thirrur për të dëshmuar se përse ai dhe skuadra kuqezi kish refuzuar të dilte në fushë u përgjigj kështu: “Nuk e vë në dyshim se pas invadimit të fushës me huliganë mund të rikthehej sërish rendi dhe të luhej ndeshja, por kjo është njësoj sikur në një cirk të dalë luani nga kafazi dhe të hidhet te publiku. A ka publik që kthehet më brenda asaj dite edhe po t’i thuash se luani është kapur dhe është në kafaz?…”. E gjithë kjo shkaktoi ilaritet, por sigurisht që pati efekt edhe te juria./ps