Ballina Aktualitet Çmimi i energjisë, bizneset “e liberalizuara” do e paguajnë 35% më shtrenjtë...

Çmimi i energjisë, bizneset “e liberalizuara” do e paguajnë 35% më shtrenjtë në faturën e korrikut

Çmimi i energjisë për subjektet e lidhura në 35 kilovolt në muajin korrik regjistroi nivelin 12.86 lekë/kwh. Bëhet fjalë për të gjithë ato subjekte që kanë detyrimin e sigurimit vetë të energjisë nga tregu i lirë por që në pamundësi të gjetjes së një furnizuesi, po e marrin këtë shërbim nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, që në këtë rast është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Në krahasim me muajin dhjetor, kur nuk kishte filluar ende liberalizimi i tregut të energjisë, dhe energjia tregtohej me tarifë të përcaktuar prej 9.5 lekë/kvh, çmimi është 35.4% më i shtrenjtë.

Në një vendim të Entit Rregullator të Energjisë bëhet me dije se është kjo tarifa që ka kërkuar OSHEE për muajin korrik e cila do të shërbejë si tarifë faturimi për këto biznese ndërkohë që jepen në detaje arsyet se pse kemi këtë çmim.

Së pari bëhet me dije se çmimi maksimal i blerjes së energjisë elektrike për periudhën e furnizimit nga tregu i parregulluar ose blerja nga prodhuesit me përparësi (BRE) është e barabartë me çmimin vjetor të blerjes së energjisë elektrike për vitin 2018 prej 8.5652 Lekë/kWh ,e riskun 3% mbi çmimin e blerjes; çmimi maksimal rezulton 8.82 Lekë/kWh. Së dyti kemi një kosto administrative gjithsej 1.79 Lekë/ kWh. Këtyre u shtohen edhe tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit nga OST sh.a që është 0.75 Lek/kWh

E katërta është trifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV, miratuar me Vendimin Nr. 211, Datë 28.12.2017 “Mbi fillimin e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të OSHEE sh.a. për tarifat e shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike sipas nivelit të tensionit dhe lënien në fuqi të çmimeve me pakicë për klientët që shërbehen nga furnizuesi i shërbimit universal për vitin 2018” është 1.5 Lek/kWh.

LEXO EDHE:  VIDEO/ "96 mijë instrumente të reja moderne në Shëndetësi, përgjysmohet rreziku i infeksioneve post-kirurgjikale", ja si e nis Rama ditën

Ky është çmimi më i lartë me të cilin do të përballen bizneset e nxjerra në tregun e lirë që nga momenti kur nisi procesi i liberalizmit. Në janar energjia u sigurua me një tarifë prej 11.6 lekë/kwh ndërkohë që në shkurt-maj edhe pse OSHEE kërkoi tarifa më të ulët ERE miratoi një dysheme 9.5 lekë nën argumentin se nuk kishte një analizë të kostove nga ana e kompanisë publike.

Numri i bizneseve të lidhura në 35 kilovolt është i kufizuar me rreth 80 të tillë ku pjesa më e madhe vijojnë të marrin shërbimin nga OSHEE. Rreth 10 për qind e këtij totali kanë dalë në treg të lirë dhe sigurojnë të vetëm energjinë pa ndihmën e kompanisë publike.

Grupi i dytë i bizneseve që do të dalin në treg të lirë është ai i 20 KV që pritet të zërë vend në janar të këtij viti. Edhe ky kontingjent do të ketë mundësi që në rast se nuk gjen furnizues në treg të marrë energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit sipas të njëjtit parim dhe metodologjie që aplikohet për grupin 35 kilovolt. Periudha e tranzicionit drejt liberalizmit dhe ku OSHEE do të japë asistencën e saj është të paktën dy vjet nga afati kur është bërë shkëputja nga tregu i rregulluar./monitor/