Ballina Kryesore Ish-të përndjekurit politikë, publikohet lista e 1000 trashëgimtarëve që marrin dëmshpërblim

Ish-të përndjekurit politikë, publikohet lista e 1000 trashëgimtarëve që marrin dëmshpërblim

Ministria e Financave ka publikuar listën e rreth 1000 fëmijëve dhe nipërve të ish-të dënuarve politikë të cilët do të marrin dëmshpërblim.

Në këtë listë përshihet kategoria joparësore në radhët e ish-të përndjekurve politikë, të cilët do të mund të trajtohen me dëmshpërblim, pasi të kenë paraqitur doumentat e nevojshëm.

Ministria e Financave u kërkon përfituesve të këstit të parë dhe të dytë të dorëzojnë në Drejtorinë e Pagesave numrin e llogarisë për të marrë dëmshpërblimin.

“Lista me përfituesit, të cilët janë në radhë për këstin e tyre të dytë, të cilët duhet të përditësojnë numrin e llogarisë bankare si dhe të dorëzojnë fotokopje të mjetit të identifikimit”, – thuhet në njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Financave.

Numri i llogarisë duhet të dorëzohet brenda muajit.

Financat nuk kanë bërë ende të ditur se kur do të çelin fondin për pagesat e ish-të përndjekurve, ndërkohë që herë pas here publikojnë lista me dokumentet që duhet të dorëzojnë përfituesit.

Dokumentet

Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.

Kur kemi ndryshim të identitetit, (emër/mbiemër), apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një shkronjë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emri të jetë i njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.

Në rast se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës, apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Ligji parashikon edhe rastet e ekzekutimeve pa gjyq.

Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative e lëshuar nga zyra e gjendjes civile.

“Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëjë një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave bën për të sqaruar trashëgimtarët e ish-të dënuarve, që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook