Ballina Sport Ky portret nuk lejohet nga policia në stadiumet italiane kur tifozët e...

Ky portret nuk lejohet nga policia në stadiumet italiane kur tifozët e SPAL ndjekin skuadrën e tyre në transfertë

Federico Aldrovandi, 18 vjeç, natën e 25 shtatorit të vitit 2005 kthehej në shtëpi pasi kishte festuar me miqtë. Në rrugën “Ippodromo” të qytetit të Ferrarës ndalohet nga një patrullë e policisë me brenda 2 agjentë, të cilët pretendojnë (gënjeshtër, siç do vërtetohet nga hetimet e mëvonshme) se i riu i kundërpërgjigjet me dhunë. Kërkojnë përforcime dhe një tjetër patrullë me 2 agjentë afrohet në vendin e ngjarjes.

Në arrestimin e dhunshëm thyhen dy shkopinj gome dhe Federico Aldrovandi mbetet i vdekur. Ambulanca e parë që mbërrin në vendngjarje shënon në procesverbal: “Me fytyrë përdhe dhe duart e lidhura me pranga pas shpine. I pavetëdijshëm dhe nuk kthente përgjigje.”

Prindërit njoftohen për ndodhinë e rëndë rreth orës 11 paradite, diku te 5 orë pas tragjedisë. Lino dhe Patrizia nuk pajtohen me ekspertizën mjekësore të policisë, sipas së cilës i riu vdiq si pasojë e konsumimit të lëndëve narkotike. Nuk e besojnë kur, pasi ngarkojnë privatisht një grup mjekësh, Federico Aldrovandi-t i gjenden në trup 54 plagë nga goditjet e dhunshme.

Çështja kërkohet të mbyllet shpejt nga autoritetet. Gazetat kombëtare dhe televizionet e cilësojnë si një vdekje nga mbidoza dhe e anashkalojnë me tituj të vegjël e të parëndësishëm. 18 vjeçari Federico Aldrovandi u vra, ndërsa në sytë e prindërve, të riun me këtë lloj trajtimi mediatik po e vdisnin për herë të dytë.

Kur rasti po shkonte drejt arkivimit, Patrizia Moretti, e ëma e të riut fatkeq vendos të hapë një blog dhe të publikojë në internet foton e Federico Aldrovandi-t pas dhunës së ushtruar nga policia. Pamja është e rëndë deri në makabritet.

Është 2 janar i vitit 2006, vetëm pak muaj pas vdekjes, kur çështja nga lokale kthehet në kombëtare. Hetimet rihapen dhe policët Enzo Pontani, Luca Pollastri, Paolo Forlani dhe Monica Segatto akuzohen për vrasje e dëshmi të rreme.

LEXO EDHE:  E BUJSHME/ Zidane merr vendimin e papritur, tronditen madrilenët

Në skenë del edhe një dëshmitare okulare, kamerunezja Annie Marie Tsagueu, banore në rrugën “Ippodromo”, sipas të cilës “agjentët e rrahën Aldrovandi-n duke e përplasur në asfalt dhe goditur me shkopinj gome.” Sipas të njëjtës dëshmi “i riu bërtiste nga dhimbjet dhe fryma i merrej nga njëra e vjellë në tjetrën.”

Shumë muaj më pas, në dispozicion të Prokurorisë vendosen edhe tabulatet e telefonatave mes agjentëve të policë. Në një nga thirrjet drejt rajonit, një prej policëve shprehej “më duket se na ngeli në dorë”.

Ngjarja e dhimbshme merr vëmendje të gjerë mediatike. Njerëzit në Ferrara dalin në protesta pasi një qytetar, djalë i ri, u vra prej atyre që jetën duhet ta mbrojnë. Më e poshtra ndodhi mbrapa, kur kujtimi i Federico Aldrovandi-t u përdhos dhe e vërteta u fsheh e u shtrembërua. Nga shteti dhe media mainstream…

Në procesin e fundit, 4 policët janë dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj për “tejkalim të kompetencave në përdorimin e ligjshëm të armëve” (e përkthyer nga italishtja, kush ka njohuri të na ndihmojë me terminologjinë e saktë), por ngjarja ka lënë masivisht një shije shumë të hidhur dhe ka reduktuar besimin e njerëzve në organet e drejtësisë.

Më 13 maj 2017, SPAL, skuadra e futbollit të Ferrarës ngjitet pas 49 viteve në Serinë A. Lino Aldrovandi, i ati i Federico-s, publikon një letër të hapur nga ku po shkëpus 2 paragrafe:

‘ “O ba si doli sot SPAL-i?”
Më pyeste shpesh Federico, çdo të dielë në darkë, përpara atij 25 shtatori të mallkuar. Pyetje që ma bënte gjithmonë kur SPAL fitonte, sepse e dinte pasionin tim të madh për ngjyrat bardhë dhe blu, pasion që më shoqëron nga mosha 6 vjeçare. Qesh tani kur e rikujtoj, sepse e di që do ma bënte sërish Federico këtë pyetje për të më lumturuar, sidomos sot. ’

LEXO EDHE:  Gara në FSHF/ Kunati i Armando Dukës, takim të përzemërt me Bashkim Finon. Çfarë diskutuan?

‘ … mendoj shumë gjëra o “përgjithmonë i vogli im”, për atë që nuk ndodhi e atë që mund të kishim bërë bashkë, si në dhimbje ashtu edhe në gëzim. Por duhet ecur përpara, dhe sonte më shumë se kurrë me një buzëqeshje, për realizimin e ëndrrës time (tonë) sportive, ngjitjen e SPAL në Serinë A. Këtë natë, si çdo natë, do shikoj qiellin e mbushur me yje, me shpresën se do dëgjoj sërish atë zërin tënd. Zëri ndoshta do vijë, por mallkueshmërisht do e sjellë afër meje vetëm era…”

Portreti i Federico Aldrovandi-t nuk lejohet në stadiume, fytyra e tij është ajo e të vërtetës…

Burimi: Pjesa e trete