Ballina Kryesore Renditja e UEFA-s për klube, Skënderbeu vendos rekord

Renditja e UEFA-s për klube, Skënderbeu vendos rekord

Skënderbeu vazhdon të ecë me hapa të mëdha në arenën evropiane, duke ngjitur një nga një shkallët e renditjes së UEFA-s.

Në përditësimin e fundit pas përfundimit të fazës së grupeve në kompeticionet e Kupave të Europës që UEFA e bën gjithmonë, Skënderbeu renditet në vendin e 139-të me një koeficient që, aktualisht, ka shkuar në 8.5.

Një ecuri mjaft e mirë e korçarëve, të cilët janë për rekord, pasi është vendi më i lartë i zënë ndonjëherë nga klubet shqiptare.

Jo më kot Skënderbeu kryeson edhe listën e ekipeve shqiptare në këtë renditje të UEFA-s, pas përfundimit të grupeve në kompeticionet e Champions League dhe Europa League.

Natyrisht që një arritje e tillë ka të bëjë edhe me ecurinë pozitive të korçarëve në këtë edicion në Ligën e Europës, por edhe në kampionat.

Nëse korçarët shpallen kampionë, normalisht që do të sjellë rritje të vendit në renditje dhe të koeficientit, i cili pritet të jetë më i madh për sezonin e ardhshëm.

Gjithsesi, edhe me këtë koeficient Skënderbeu duket se e ka të sigurt pjesëmarrjen në vazon e favoritëve në eliminatoret e Champions-it në sezonin e ardhshëm.

Një tjetër fakt pozitiv është se në fund të sezonit 2015-2016, kur Skënderbeu u bë pjesë e grupeve të Ligës së Europës, korçarët mundën që të renditeshin vetëm të 198- ët, ndërsa tani kanë rikuperuar plot 59 vende në klasifikimin e UEFA-s.

Skënderbeu duket se në renditjen e UEFA-s po bën gjithnjë e më shumë diktatin, teksa ekipi që u afrohet më shumë korçarëve nga klubet shqiptare është Kukësi me plot 77 vende më poshtë.

Pas tij vjen Partizani, në vendin e 330-të, dhe Tirana në të 345-in. Korçarët jo vetëm që lënë pas ekipet e tjera shqiptare, por kanë kaluar klube me emër në Europë, si AEK-u i Athinës, Panathinaikos, Cervena Zvezda, Slavia e Pragës apo shumë klube të tjera të Holandës dhe Zvicrës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook