Ballina Sport Teuta vendimtare në luftën për mbijetesë në Superligë

Teuta vendimtare në luftën për mbijetesë në Superligë

Nga sigurimi i mbijetesës në Kategorinë Superiore te mundësia për të luajtur në Ligën e Europës, ishte një luftë e vertetë për Teutën. Skuadra durrsake e kaloi me sukses, por tani në varësi të rezultatit të saj, do të varet edhe se cili ekip do t’i bashkohet Korabit në rënien nga Superliga.

Pas pushimeve jo të zakonshme, ekipi bregdetar po përgatitet për transfertën e Laçit, dhe një barazim mund të sjellë përfitim edhe për Vllazninë e Tiranën.

“Në takimin me Laçin shpresojmë të marrim një rezultat të mirë. Tre ditë pushim na kanë bërë shumë mirë si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Tani shpresoj të jemi të motivuar dhe të kemi frymëzimin e duhur për ndeshjen me Laçin”, shprehet Elhan Kastrati, futbollist i Teutës.

Nëse në Laç nuk do të ketë surpriza, Vllaznia ose Tirana mund të bien, me barazimin që favorizon shkodranët, ndërsa për kryeqytetasit është e vetmja alternativë, fitorja.

Për Teutën ekzistojnë mundësitë që të sigurojë vendin e katërt që të çon në Europa League, por edhe pse me shanse të vogla, ekipi i trajnerit Magani pret gjithsesi epilogun e Kategorisë Superiore për ta quajtur një sezon të suksesshëm apo të dështuar.