Policia zbardh sulmin me gurë ndaj makinës së analistit të njohur, Fatos Lubonja. Sipas një njoftimi, sqarohet se policia ka mundur të vërë në pranga autorin e ngjarjes 50 vjeçarin, A.H, i cili mësohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Në momentin që ka goditur makinën e Lubonjës, ky person, sipas policisë, po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte, që rezulton të jetë makina e analistit.

Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor.

Për ngjarjen reaguan më herët edhe Presidenti Ilir Meta, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ata dënuan sulmin dhe hodhën dyshime se pas tij mund të kishte prapavijë politike, duke qënë se Lubonja është një nga zërat më kritikë ndaj qeverisë Rama.

NJOFTIMI

Në pergjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron:

Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana.

Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor.

Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”, “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”.

Me këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast, ka qenë plotësisht profesionale.