Lulzim Basha ka anuluar të gjitha takimet që kishte programuar për ditën e sotme, pasi mitingu për çeljen e fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit, duket se nuk ka shkuar sic Basha e kishte planifikuar.

Dhjetra qytetarë, pjesëmarrës në miting, kanë shfaqur shenja të djegies dhe skuqjes së syve, nga shkaqe që ende nuk janë zbuluar plotësisht.

Mes personave që kanë shfaqur këto komplikacione është edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kreu i PD-së është paraqitur mbrëmë në spital dhe ka qëndruar për disa orë aty, për të marrë trajtimin mjekësor të nevojshëm. Burime nga QSUT-ja, theksuan se ai është kthyer në shtëpi mëngjesin e sotëm, pas qetësimit të simptomave.

“Kryetari Basha nis takimet me qytetaret sot në Divjakë në orën 10.00. Më pas në orën 11.00 do të jetë në Lushnjë dhe në 12.30 në Roskovec”, thuhej në njoftimin e parë të PD-së, por që më pas në një njoftim të dytë këto takime u anuluan.