Një tjetër operacioni i Tatimeve ka bërë që të bllokohen 500 mijë litra birrë në një fabrikë në Kashar dhe një gjobë të majme.

Në një fabrikë birre në Kashar u bllokua sasia prej rreth 500,000 litra birrë, pasi kishte detyrime akcize të papaguara në shumën rreth 17.6 milionë lekësh.

Hedhja për konsum nga ana e operatorit, e kësaj sasie birre, pa paguar detyrimet e akcizës, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me 3-fishin e detyrimeve të akcizës që duheshin paguar. Gjoba ndaj subjektit llogaritet në rreth 700 milionë lekë (te vjetra).

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka qenë vetë në terren, nga ku deklaroi se evidenca e 70 mln lekëve të cilat duhet të jenë të paguara nga subjekti, janë pjesë jo vetëm e detyrimit që ka subjekti kur nuk ka deklaruar akcizë për sasinë e birrës por edhe 3-fish gjobë.

“Ne jemi në një subjekt, një pikë magazinë stokimi, Janë sekuestruar pothuajse 500 mijë litra birrë, të cilat nuk janë brenda regjimit fiskal. Kuptohet kjo pasohet me gjobë, e cila sot është trefish më e madhe dhe arrin në shifrën e 70 milionë lekëve të reja. Kjo për një sasi kaq të madhe pa akcizë në sektorin e birrës, është e patolerueshme. ne do të vijojmë të gjithë planin e aksionit për të gjithë pikat dhe magazinat fiskale, qoftë ato të stokimit, qoftë të tjera për të gjithë produktet e akcizës, jo vetëm pijet por edhe hidrokarburet dhe gazin”, deklaroi Denaj.

Ajo tha se kjo shumë e konsiderueshme nuk justifikon asnjë model biznesi.

“Në momentin e dytë që evidentohet shkelja do të jetë 5-fish gjobë sikurse kodi doganor e parashikon dhe mbyllje të biznesit. Evidentoni të gjithë mallin tuaj, brenda regjimit fiskal në një kohë sa më optimale pasi ne nuk do të ndalemi dhe në muajin gusht-shtator, gjatë gjithë kohës dhe çdo magazinë fiskale do të kontrollohet, duke filluar nga ato më të mëdhatë tek më të voglat. Plani operacional do të vazhdojë dhe do të jetë i përpiktë në raportim në muajin gusht njësoj si në muajin korrik”, apeloi ministrja Denaj.