Ministria e Drejtësisë, në datën 25.12.2017 është vënë në dijeni nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një foto-je në të cilën shfaqeshin imazhe të disa të dënuarve duke festuar brenda ambienteve të një IEVP-je me sende të ndaluara.

Nga veprimet paraprake, rezultoi se fotoja e publikuar ishte kryer në ambientet e IEVP-së, Shën Koll Lezhë dhe është publikuar nga vetë të dënuarit. Ministria e Drejtësisë nëpërmjet SHKBB-së, pasi kreu veprimet hetimore përkatëse, arriti në konkluzionin se nga ana e punonjësve të policisë së burgut janë shkelur parashikimet ligjore në fuqi si dhe

Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, duke vënë në rrezik sigurinë dhe mbarëvajtjen në institucion.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, u referuan aktet për fillimin e procedimit penal në ngarkim të 12 punonjësve të policisë së burgjeve, me dyshimin se këta punonjës kanë konsumuar elementë të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të parashikuara respektivisht nga neni 248 dhe nga neni 251 të Kodit Penal.

Konkretisht:

  • A. B., Shef i Policisë së IEVP-së Lezhë
  • E. R., Specialist i Informacionit
  • T. L., Përgjegjës i Shërbimit të Godinës
  • Gj. D., Polic i Kollonës
  • E. T., Polic i Sektorit
  • L. L., Polic i Kollonës
  • M. GJ., Polic i Sektorit
  • D. N., Polic i Kollonës
  • A. J., Polic i Sektorit
  • Gj. N., Përgjegjës i Grupit të Sigurisë
  • G. Rr., Polic i Grupit të Sigurisë
  • F. H., Polic i Grupit të Sigurisë
LEXO EDHE:  Zbulohet serumi ‘magjik’ që CIA u injekton të burgosurve që të flasin të vërtetën

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka filluar ecurinë disiplinore për këta punonjës, sipas shkeljeve të konstatuara.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook