Ballina Kuriozitet Për herë të parë vihet në punë polici robot, dyndje masive turistësh...

Për herë të parë vihet në punë polici robot, dyndje masive turistësh për të bërë ‘selfie’ (FOTO)

Pas patrullave me automjete sportive të tipit “Lamborghini” apo “Ferrari”, policia e Dubait ka vënë në shërbim një oficer robot, i cili do të përfaqësojë një të katërtën e efektivëve deri në vitin 2030.

Ky prototip u paraqit dje në mbrëmje në Burj Khalifa, kulla më e lartë në botë që kulminon në 828 metra dhe tërhoqi menjëherë kuriozitetin e publikut.

Turistët, residentët e huaj dhe lokalë u dyndën për të bërë “selfie” përkrah këtij roboti të çuditshëm, që qarkullonte në rrugë.

I veshur si polic, roboti është i pajisur me një komjuter në nivelin e gjoksit që shërben për të informuar policinë për krimet e mundshme apo për të dhënë informacione për shkeljet rrugore.

“Objektivi ynë është që robotët të përbëjnë 25 për qind të efektivëve tanë deri në 2030”, deklaroi gjenerali i brigadës Khaled al-Razzouqi, një oficer i policisë së Dubait

Roboti është i pajisur gjithashtu me një kamera që transmeton imazhet direkte në sallën operative të policisë.

Ai është i aftë të identifikojë personat e kërkuar nga policia.
“Robotët do të vendosen kryesisht në zonat turistike”, theksoi oficeri duke pranuar se ai nuk mund të zëvendësojë policët nëse bëhet fjalë për arrestime.

Policia e Dubait ka tërhequr vëmendjen në botë duke rikthyer automjetet sportive në flotën e saj të makina. Dubai bën pjesë në Emiratet e Bashkuara Arabe ku përqindja e kriminalitetit është e ulët.