Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me një korsi të re në çdo krah të saj nuk do të bëhet as vitin e ardhshëm.

Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se investitori që dorëzoi ofertën e pakërkuar për punimet në këtë autostradë dhe rehabilitimin e aksit Ndroq-Plepa është tërhequr, duke bërë të pamundur kështu edhe hapjen e garës në muajin shtator të këtij viti siç ishte parashikuar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Parashikimet për rehabilitimin e këtyre dy akseve nuk janë përfshirë as në buxhetin e vitit 2020, ku ministria e Financave dhe Ekonomisë bën raportin e investimeve që do të kryhen, qoftë edhe ato në partneritet me privatin.”, shprehet Belinda Balluku.

Zgjerimi i autostradës që lidh kryeqytetin me Durrësin dhe riasfaltimi i rrugës së vjetër të Ndroqit do të kushtonin 380 milion euro, një investim që do të bëhej tërësisht nga privati e më pas të ardhurat do të siguroheshin nga vjelja e tarifës së kalimit nga automjetet në autostradë.

Në bazë të një studimi fizibiliteti të kryer nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rekomandohet që tarifa për një kalim në këtë aks prej 34 kilometrash të ishte 1.2 euro.

Oferta e pakërkuar për punimet në këtë aks u bë në 2018-ën nga një kompani indiane e përfaqësuar në Shqipëri nga firma “Albstar” dhe “Trema inxhiering” .