Sot është një ditë zie për të gjithë shqiptarët jo vetëm brenda Shqipërisë por kudo që ndodhen. Ndonëse prisnin ditë festash, shqiptarët u përballën me një tragjedi për shkak të tërmeteve që sollën dhjetëra viktima e qindra të plagosur.

Tërmeti i fortë i mëngjesit të së martës nuk do të jetë i lehtë për t’u harruar nga shqiptarët. 26 persona kanë mbetur të vdekur deri tani, ndërsa kanë pësuar lëndime 657 të tjerë. Qendrat më të goditura kanë qenë Durrësi dhe Thumana. Ndërkohë që prej mëngjesit të djeshëm vijon kërkimi i të mbijetuarve dhe personave të zhdukur nën rrënoja e godinave të shembura në Durrës e Thumanë.

Kryeministri Edi Rama shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme në Durrës e Tiranë dy qarqet më të prekura nga tërmeti.

Tre viktima u nxorën nga pallati 6 katësh që u shemb në Durrës; 5 viktima në rrënojat e 3 pallateve që u shembën në Thumanë; 4 viktima janë nxjerrë nga rrënojat në Kënetë në Durrës.

Në vilën që u shemb në Kënetë, dy viktima në familjen Lala por nga kjo familje u shpëtua një 17-vjeccar.

Një viktimë u gjet në rrënojat e Kavalishencës në Durrës. Bëhet fjalë për policin Bajram Hadërmataj. Një person nga paniku u hodh nga pallati në Kurbin duke humbur jetën.

Dy të rinj nga Kosova u nxorën të pajetë nga rrënojat e ‘Tropikalit’. Në Thumanë e Durrës situata vijon të jetë e rëndë pasi ka ende njerëz në rrënoja.

Mëngjesin e sotëm u nxor i vdekur edhe 32-vjeçari Klement Çupi, ndërkohë në spital ka humbur jetën 31-vjeçari Saimir Greku, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra,

Sot është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje.

Ndërkohë në kampingun e Thumanës janë ngritur rreth 67 çadra ku janë strehuar 700 banorë dhe po kështu janë ngritur kampe edhe në Durrës, Manëz, Ishëm, Sukth e Katund i Ri, rreth 181 çadra në total, ku janë strehuar rreth 1450 banorë.

Shqipëri u trondit mëngjesin e së martës nga një tërmet i shkallës 6.3 të shkallës Rihter që ra në orën 3:54 të mëngjesit dhe u pasua me disa lëkundje të tjera.