Deputetja Mimi Kodheli gjatë fjalës së saj në Kuvend i ka bërë thirrje qeverisë që jo vetëm të rishikojë tarifat e Rrugës së Kombit në favor të kuksianëve por edhe të investojë në rrugën e vjetër të Kukësit.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend deputetja e PS-së për qarkun e Kukësit tha se hapja e rrugës do të jetë një alternativë për banorët.

Kodheli gjithashtu kërkoi që qeveria të bëjë transparente shpërndarjen e të ardhurave që vijnë nga taksa e qarkullimit.

“Fort të nderuar kuksianë, hasianë, tropojanë kam folur duke iu parë në sy e po në sy ju shikoj edhe sot, e flas me ju e zemrën e një nëne dhe fuqinë e mendjes së një ligjvënësie. 

Unë jam për shtetin e së drejtës, jam për ligjin,  për ekonominë e tregut por jam edhe për një rishpërndarje më të drejtë e më të moralshme që favorizon të dobit dhe të varfërit dhe jam më shumë transparencë e më pak demagogji. 

Ndaj i kërkoj qeverisë përpara se të rishikojë tarifën e mirëmbajtjes në favor të banorëve  të qarku të Kukësit, të përkujdeset dhe të investojë rrugën e vjetër të Kukësit si një alternativë për banorët atje, të shikojë dhe të rikategorizojë të gjitha rrugët në vend dhe në këtë mënyrë ta thjeshtojë dhe diferencojë  sistemin e taksimit. 

Të bëjë transparente, ku dhe si shpërndahen të ardhurat që vijnë nga taksa e qarkullimit, të vlerësojë pozitivisht të gjitha propozimet që ka bërë dje Komisioni i Ekonomisë. 

Mund të ketë edhe vlerësime të tjera që do të mund të ndihmojnë procesin me qëllim që jo vetëm që mbi kuksianët të mos bjerë asnjë barrë e pamerituar por që njerëzit aty edhe nëse paguajnë, nuk e di qoftë edhe 100 lekë ta bëjnë këtë të bindur se po bëjnë gjënë e duhur në të mirë të jetës së tyre, të bizneseve të tyre, të ardhmes së tyre.”- tha Kodheli.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Protestë tjetër për taksën në Rrugën e Kombit, qytetarët kërkojnë lirimin e protestuesve të arrestuar

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook