Gjatë një seance solemne parlamentare në Prishtinë këtë të diel, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tërhoqi vëmendjen e mediave jo vetëm shqiptare, për shkak të një deklarate të bërë me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Edi Rama gjatë deklaratës së tij tha se Shqipëria e Kosova mund të kenë një president të përbashkët pas 10 vitesh.

Këtë deklaratë të kryeministrit shqiptar, mediet greke e cilësojnë si një dëshirë të shqiptarëve për Shqipërinë e madhe, çka bie në kundërshtim me deklaratat e mëparshme të Ramës për marrëveshjen me Greqinë, apo me ato të ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias.

“Fantazma e Shqipërisë së Madhe zgjohet përsëri, për t’u bërë realitet”,“Edi Rama ëndërron si Erdogan, kufijtë e zemrës të bëhen një ditë realitet”, janë disa prej shprehjeve të përdorura nga gazetari Dhimos Verikios në “Alpha Tv”.

“Deklarata bombë e Ramës që mori përgjigje të menjëhershme nga zëdhënësja e Komisionit të BE-së për Politiken e Jashtme, për rrezikshmërinë e lartë të ndryshimit të kufijve, mbetet ëndrra shqiptare”, kështu tha gazetari Nikolas Vafiadhis në “ANT1 TV”.

Deklarata e Ramës u shoqërua me debate dhe polemika në Kosovë e në Shqipëri, madje edhe më gjerë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook