Nga Artan Fuga

Lidhur me qendrimet antireformë të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, dhe për të marrë pjesë në kthimin e këtij institucioni të rëndësishëm në duart e kombit dhe shoqërisë!

Te nderuar kolegë profesorë, doktorë, pedagogë dhe drejtues të njësive shkencore dhe universitare!

Ndjesë që po Ju drejtohem me këtë letë të hapur publike, por rëndësia e çështjes më detyroi t’a kapërcej veten dhe vetëpërmbajtjen etike dhe t’ju drejtohemi kolektivisht!

Ju ftoj energjikisht të merrni pjesë gjallërisht, aktivisht, me mendje të kthjellët dhe zemër të qetë në shansin e madh që të gjithë ne kemi sot, tani, për të kontribuar për reformim-rithemelimin e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, e cila sot, sikurse e dini, është një institucion i mpakur, i atrofizuar, jashtë cdo funksioni të vlefshëm shoqëror, e mbyllur në vetvete, dhe që nuk respekton më asnjë kriter shkencor, madje edhe etik në funksionimin e saj!

Ky rast na ka ardhur të gjithëve sepse me kërkesën dhe këmbënguljen time, Ministria e arësimit, rinisë dhe sporteve, ka dërguar në të gjitha universitetet dhe qendrat e mëdha shkencore të vendit dy platformat e kundërta, atë të grupit zyrtar të Akademisë të drejtuar nga Skënder Gjinushi dhe platformën e përpunuar nga unë pas një pune shumë vjeçare të kryer sipas modeleve perëndimore dhe demokratike. Eshtë fjala për atë reformë rithemeluese të cilën Akademia e Shkencave prej vitesh po e censuron, nuk e merr në shqyrtim dhe e denigron.

Nuk ka më mirë sesa përpara sesa të kthehet në ligj, një platformë që ka të bëjë me organizimin e njerit prej institucioneve më të rëndësishme shkencore të marri aprovimin e komunitetit shkencor të vendit.

Këmbëngulja ime për këtë ka ardhur nga fakti sepse jam i bindur që më mirë se vetë universitarët, kërkuesit shkencorë dhe pedagogët askush nuk mund të jetë në gjendje të japi mendime të vyera për riorganizimin e shkencës dhe të arësimit. Nga ana tjetër, kjo ishte e vetmja rrugë e drejtë e mbetur përpara meje sepse brenda Akademisë të Shkencave sundon një mjedis mbytës, një atmosferë parazitizmi, është pra një mjedis i dhënë pas privilegjeve pa menduar thellë për kontributet që ky institucion ka borxh e detyrë t’i kthejë shoqërisë.

Asnjë reformim nuk mund të bëhet me të vërtetë në një mjedis ku sundojnë metodat e një grupi antireformator që prej vitesh ka mundur t’i imponohet Akademisë të Shkencave dhe të kalojë nga farsa në farsë duke e vyshkur dhe rrudhur këtë vlerë kombëtare që duhet të ishte në pararojë të mendimit shkencor dhe intelektual të vendit. Kjo është e kuptueshme. Nuk mund t’a reformojnë Akademinë e Shkencave ata që e kanë sjellë në këtë ditë të hallit ndonëse prej vitesh opinioni shkencor i vendit shpreh hapur dhe qartë pakënaqësinë e tij me atë që ndodh në këtë Akademi.

Grupi i punës me në krye Skënder Gjinushin në vend të propozonte dhe paraqiste rrugët e ndryshimit të thellë në Akademinë e Shkencave zgjodhi për arsyet dhe interesat e veta rrugën e pajtimit dhe konsensusit me frymën e vjetër sunduese në atë institucion.

Kjo është arsyeja që grupi që i imponohet në mënyrë të paligjshme Akademisë të Shkencave jo vetëm ka ndërmarrë një sërë masash antiligjore dhe antireformatore, por dhe me zërin e ndokujt i cili nuk asnjë status të flasi në emër të Akademisë të Shkencave, është shqetësuar dhe ngritur kundër praktikës që platformat për reformim të përzgjidhen nga komuniteti shkencor dhe universitar i vendit.

I ka hutuar, goditur, habitur, tronditur, fakti që fati i Akademisë të Shkencave nuk është sot në dorën e uzurpuesve të saj, por në dorën tuaj!

Akti më i turpshërm që mund të bëjë një institucion shkencor është pikërisht të ngrihet kundër mendimit të lirë shkencor, kundër debatit të lirë, kundër shkëmbimit të ideve duke vendosur mbi lirinë e mendimit totalitarizmin e vjetër dhe të ri institucional.

Kë përbuzin akademikët në atë Akademi Shkencash?
Profesorët e universiteteve shqiptare?
Për cfarë bërtasin akademikët se i “paskan prerë në besë” pikërisht sepse gjykimi ka ardhur te pedagogët, doktorët, shkencëtarët e vendit?
Cfarë e dinë veten një pjesë jo e vogël akademikësh?
Mos kujtojnë se koha e shkuar ju ka lënë atyre trashëgim drejtimin, komandën mbi dijet, ruajtjen e lidhjeve okulte midis tyre, kapjen me thonj pas dogmave ideologjike, honoraret e marra pa punë dhe pa kontribut?
Mos kujtojnë ata se nuk kanë të drejtë t’i gjykojnë shkencëtarët dhe pedagogët shqiptarë?
Mos mendojnë se me mekanizma bizantinistë, në kurriz të komunitetit shkencor të vendit, kanë të drejtë të kooptojnë ata njerëz që duan të lidhur me mijra fije nepotizmi për t’a përdorur buxhetin publik në atë Akademi për interesa dhe perspektiva personale?

Unë e akuzoj rëndë sot përpara Jush Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si institucion pikërisht për atë se ka keqpërdorur paranë publike, nuk ka kryer detyrat e saj, ka dalë nga shinat e misionit fisnik që duhet të kishte.

Atje unë veç kërcënimeve, fyerjeve, presioneve që kam pësuar personalisht, kam parë edhe mbetjet e një mendësie totalitariste që shfaqet në mënyrën e funksionimit të saj. Unë e akuzoj pikërisht si mbetje dhe mbeturinë totalitare!

Ata duan një Akademi Shkencash të plakur nga vitet e natyrshme të moshës, unë mendoj se ka vend që të hapen dyert për brezin e mesëm dhe më të ri të dijetarëve shqiptarë.

Ata mendojnë se Akademia e Shkencave duhet të jetë një kala e mbyllur, unë mendoj që ajo duhet të hapet fuqishëm drejt komunitetit shkencor të vendit si në numur ashtu edhe në mendësi e veprimtari.

Ata duan një Akademi Shkencash që nuk jep produkt dhe që vjedh në fakt rezultatet shkencore të institucioneve shkencore të tjera të vendit, unë mendoj për një Akademi Shkencash që të jetë shtëpia e përbashkët e intelektualëve shqiptarë ku këta në bashkëpunim me shoqërinë civile, me fuqinë publike, me të gjitha forcat emancipuese të shoqërisë të ndërtojnë metashkencën, pra strategjitë e zhvillimit shkencor dhe teknologjik e intelektual të kombit dhe të shoqërisë shqiptare.

Ata duan si deri sot një Akademi Shkencash ku privilegjet merren pa punë, ku gati një e treta e akademikëve është e punësuar në administratën e saj, kurse unë përfytyroj një Akademi ku të gjithë të jenë të barabartë, një Akademi Shkencash ku anëtari i saj të jetë atje ku formësohet rezultati i punës shkencore, atje ku ngjizet dhe avancon dija.

Nuk është fjala vetëm të reformohet Akademia e Shkencave si institucion, sikurse e kupton atë ngushtë grupi që i ka marrë frymën Akademisë të Shkencave. Eshtë fjala për të reformuar paradigmat e shkencave albanologjike, për të reformuar gjuhën shkencore shqipe, për të rindërtuar marrëdhëniet midis shkencës, shoqërisë, politikës, për të reformuar strategjitë e edukimit shkencor të brezit të ri si edhe drejtimet e rritjes të intelegjencës tonë si komb në kushtet kur bota e përparuar po ecën drejt inteligjencës artificiale, kozmosit, dhe nanoteknologjive.

LEXO EDHE:  Shkatërrimi i kërpudhës, si simbol i artit që fsheh krimin

Ku jemi ne? A e ka shtruar ndonjëherë Akademia e Shkencave këtë problem? Keni dëgjuar ndonjëherë të shqetësohet për çështjet e mêdha të vendit?

Keni dëgjuar të shprehet për çështjen e kufive të Kosovës?
Keni dëgjuar ndonjëherë të shprehet për fatet e shqiptarëve në Maqedoni?
Keni dëgjuar ndonjëherë të shprehet për kërkesat e studentëve dhe reformimin e universiteteve?
Keni dëgjuar të japi sinjale për çrrënjosjen e korrupsionit?
Për boshatisjen e territorit të vendit nga shqiptarët?
Për krizën e sotme institucionale?
Për problemet e integrimit europian të vendit?

Asnjëherë! Sepse atje mbizotëron kaosi institucional.

Dëgjojeni të vërtetën e hidhur; Akademia e Shkencave është “çmendur”, në kuptimin që nuk ka më asnjë lidhje si funksionim me arsyen dhe rregullat e saj.

Të nderuar kolegë!

Mos mendoni se unë po bëj ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Unë ju kam dëgjuar si njeri nga ju në rrugë, auditore, biblioteka, kafene, konferenca, sesi shpreheni për atë që ndodh në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë! Më ka ardhur turp kur ju kam dëgjuar sepse si anëtar i saj kisha përgjegjësinë për të mos u pajtuar me atë batak institucional!

Unë nuk po bëj heroin, sepse në fakt është detyra dhe detyrimi më minimal i një akademiku sikurse i një universitari për të mos u pajtuar me hipokrizinë, me stagnacionin, me kaosin intelektual, si edhe me shfaqje të tjera që vetëm Prokuroria dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit mund t’i shohi me themel, dhe jo përciptaz sikurse ka ndodhur.

Për disa vitesh përpjekjesh për ta reformuar atë Akademi Shkencash nga brenda, duke ruajtur etikën pak konservatore të akademikut, nuk kisha dashur që të shprehesha në media dhe përpara opinionit publik. Por, kur pashë sesi përpara dy viteve kryetari bëhej nënkryetar dhe nënkryetari kryetar, duke bërë rrokadën e radhës, sikurse ka rrezik përsëri që sekretari të bëhet nënkryetar e kryetari sekretar, duke luajtur me kolltuqet, dhe veshi bëhej shurdh për cdo reformim, i ndeshur tragjikisht me heshtjen e kolegëve akademikë, kuptova se nga brenda ky proces do të ishte i pamundur. Atëhere me përgjegjësi iu drejtova opinionit publik, komunitetit shkencor për t’a çjerrë maskën e territ, e kthyer hakën te i zoti.

Akademia e Shkencave iu takon Juve! Neve!

Jo se nuk ka akademikë që janë vlera shkencore kombëtare! Larg këtij mendimi. Brenda Akademisë të Shkencave ka individë që kanë energji dhe rezultate të shquara intelektuale. Por, janë sunduar, mpakur, heshtur përpara furisë të antireformizmit të një grupi që arrin të marrë vendime të cilat i ndryshon më pas sipas konjukturave dhe gjithmonë me votë gati unanime. Sepse edhe ne universitarët dhe akademikët jemi njerëz. Kemi dobësitë tona. Por, jam i bindur se kontributi juaj do të zgjojë nga gjumi edhe forca intelektuale pozitive brenda asamblesë të Akademisë të Shkencave, të cilat deri tani për fat të keq, i kanë mbyllur derën reformimit të brendshëm, ju kanë mbyllur edhe juve derën për të qenë zotër në Shtëpinë Tuaj të Madhe.

Edhe ne universitarët, shkencëtarët dhe akademikët kemi dobësitë tona. Sikurse shkruante një shekull më parë Gustav Le Bon, qëllon që edhe akademikë të sillen si turmë!

Na ka qëlluar të gjithëve. Rëndësi ka të ndahemi nga e keqja!

Me qendrimet denigruese dhe përbuzëse ndaj jush, ndërkohë që jeni ftuar për të zgjedhur platëformën që u duket më e përshtatshme për reformim-rithemelimin e Akademisë të Shkencave, grupi sundues në Akademinë e Shkencave shpreh mendësinë e mbrapshtë se ajo Akademi është pronë personale dhe kolektive e akademikëve që janë aty brenda.

Keni dëgjuar ndonjë thirrje publike që të kandidoni për akademikë?
Keni dëgjuar ndonjë thirrje publike për të marrë pjesë në projekte shkencore?
Keni pasur ndonje subvencion nga Akademia e Shkencave për punën tuaj shkencore?

Duke u ngritur kundër jush e mohuar të drejtën e ndërtimit të një Akademie të re Shkencash ata shprehin kështu atë përbuzje të fshehtë që burokrati i shkencës ka për pedagogun, për dijetarin, për shkencëtarin që është mësuar të rropatet në bibliotekë, në auditor, në laborator, duke e trajtuar atë si skllav, nga lart, sipas një kodi të ardhur nga dekada më parë.

Unë nuk po bëj veç detyrën time. Fare thjesht!

Cështja më në fund erdhi në dorën Tuaj. Lutem bëjini detyrën tuaj! Sepse e keni ju detyrë t’a bëni tani! Ose më lini vetëm! Por, mos u ankoni më se nuk ju pyesin, nuk ju përfillin!

Ja sheshi i betejës!

Harxhoni dy a tre orë dhe krahasojini platëformat, përzgjidhni atë që ju duket më e mira, pak argumenta hidhini në letër dhe dërgojini me email në zyrat e drejtuesve tuaj! Personalisht ose si njësi bazë a si të doni!

Vetëm mos e lini fronti, mos e braktisini detyrën tuaj!

Mos lejoni ndonjë drejtues burokrat që të japi mendimin e vet, të negociuar me rrethe të fshehta, duke e kaluar qendrimin e vet sikur është mendimi juaj!

E mbi të gjitha mos mendoni se kjo është një çështje politike. Asnjë lidhje. Mos mendoni se është një betejë personale!
Lexoni platëformën që propozoj dhe do ta kuptoni menjëherë se atje nuk ka veçse një shqetësim : Si të kemi një Akademi Shkencash që t’i kthehet shoqërisë, kombit, juve pra!

Institucionet tuaja janë të detyruara me urdhër nga Ministria e arësimit, rinisë dhe sporteve që t’a sjellin çështjen përpara jush, te ju! Kaq na duhet ne tani!

Lutem: Shprehuni lirshëm! Nuk ka më kohë! Tri ditët në vazhdim janë vendimtare!

Ju ftoj ta bëjmë sëbashku detyrën tonë ! Me një energji të qetë, shëmbullore, pa fyerje personale, pa kompromise, pa menduar për interesin egoist, pa paragjykime!

Besimi im është i pafund!

Të tregojmë forcën dhe autonominë tonë etike dhe intelektuale!

Unë e mbarova deri këtu punën time, e kam ndërgejgjen e qetë!

Qetësojeni edhe ju tuajën dhe le të kontribuojmë bashkarisht për një Akademi Shkencash të re dhe të emancipuar!

Mbi rrënojat e së vjetrës le të lulëzojnë të tjera vlera!

E vjetra ka frikë nga ju!

Ju përbuz!

Na përbuz!

Ne duhet të ndërtojmë!

Emancipim ose barbari!

Shqiptarët presin nga ne, në udhëkryqet e historisë ku të gjithë jemi përfshirë!