Rusia dhe Amerika duket se po fillojnë ti ulin tonet dhe më në fund duket se ka një marrëveshje lidhur me një armëpushim për jugperëndimin e Sirisë.

Takimi mes Putin e Trump i cili ishte planifikuar të zgjaste rreth gjysmë ore por që zgjati rreth dy orë duket se po sjell frytet e veta.

Rusia do një kompromis me Trumpin
Në takimin e Trumpit dhe Putinit gjatë samitit të G20-ës ishin të pranishëm edhe dy ministrat e jashtëm, Rex Tillerson dhe Sergej Lavrov. Në një fjalim një javë më parë Lavrovi kishte thënë se rendi i ri botëror nën Trumpin duhet të jetë përsëri bipolar, me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara si dy pole. Perëndimi, me vlerat e tij pseudo-liberale dhe aleanca ushtarake e NATO-s janë të tepërta.

“Unë besoj se presidentët i kuptojnë interesat e tyre kombëtare. Ata do ta kapërcejnë situatën aktuale jonormale dhe do të fillojnë negociata në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe.” Edhe pse diapazoni i veprimit të Trumpit nuk është i madh, sepse Kongresi amerikan është duke i ashpërsuar sanksionet ekonomike kundër Rusisë, ideja ruse duhet t’i pëlqejë Trumpit.

Armëpushim për jugperëndimin e Sirisë
Presidenti amerikan dhe presidenti rus ranë dakord në parim për një armëpushim në jugperëndim të Sirisë. Rusia mbështet sundimtarin sirian Bashar Asad. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur deri tani rebelët që luftojnë kundër qeverisë siriane. Të dyja Rusia dhe SHBA-ja kanë sulmuar nga ajri grupin terrorist “Shteti Islamik”, që është përhapur edhe në Siri. Marrëveshja e armëpushimit u dakordua edhe me Izraelin dhe Jordaninë. Se si do të zbatohet armëpushimi që pritet të hyjë në fuqi nga e diela si dhe si do të monitorohet ai, nuk është plotësisht e qartë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u tha gazetarëve amerikanë pas samitit, se vendi i tij dhe Rusia kanë një “interes të përbashkët për të stabilizuar Sirinë.” Në perspektivë afatgjatë SHBA-ja dhe Rusia duan t’i japin fund luftës civile në Siri. Paraardhësi i presidentit Trump, Barack Obama kishte këmbëngulur se nuk duhet të ketë një të ardhme politike për presidentin sirian Bashar al Assad. Administrata e re duket se ka hequr dorë nga ky pozicion. Megjithatë, sipas Sekretarit amerikan të Shtetit Tillerson, Rusia nuk do të këmbëngulë përgjithmonë për Asadin si president i Sirisë