Tirana nuk gabon në të parën! 3-0 Luftëtarit për kënaqësinë e tifozëve të shumë të pranishëm në “Selman Stërmasi” dhe një sinjal i fortë për kampionët dhe rivalët e Partizanit, që duhet të llogarisin edhe ata në luftë për titull veç Kukësit. Në fund të fundit një fitore sot pritej, pasi Tirana është përforcuar ndjeshëm dhe ka objektiv madhor titullin kampion në jubileun e 100-të.

Sfida kundër gjirokastritëve do të nisë si s’ka më mirë për bardheblutë. Në minutën e 30-të është sulmuesi Dunga, i cili i shënon ish-ekipit të tij pas asistimit të Grent Halilit, ndërsa 2 minuta më pas është Halili që thyen Paiterisin pas asistimit perfekt të Hasanit. Në minutën e 44-ën Halili pengohet në zonë dhe për gjyqtarin Cjapi kemi penallti, të cilën e kthen në gol Idriz Batha, një tjetër afrim i kësaj vere.

Në pjesën e dytë, bardheblutë administrojnë me kujdes avantazhin e çmuar, pasi në mesjavë do të presin Teutën, e cila nga ana e saj ka thyer Bylisin në sfidën e luajtur në “Niko Dovana” falë golit trepikësh të kapitenit Renato Arapi.

Sfida e fundit e javës së parë të Kategorisë Superiore u zhvillua në Korçë, ku Skënderbeu vendës ka vuajtur shumë për të thyer Flamurtarin, teksa i është falur një goli të minutës së 95-të të Nazmi Gripshit, i cili i dhuron fitoren e parë bardhekuqve.